Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj paraqiti ofertën e qeverisë për rritjen e pagave në sektorin e arsimit dhe i bëri thirrje mësuesve t’i japin fund grevës.

“Për mbi 20 mijë të punësuar në sektorin e arsimit, vlera e rritjes është rreth 20 milionë euro në vit. Kjo është oferta më e madhe që i bëhet sektorit të arsimit dhe u bëj thirrje të gjithë edukatorëve dhe mësimdhënësve që t’i kthehen punës, t’i kthehen procesit mësimor”, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj i bëri këto komente gjatë takimit me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jashari. Kryeministri theksoi se kjo është oferta e qeverisë, 20 milionë euro më shumë për sektorin e arsimit dhe, sipas tij, “do të ishte një mashtrim nëse grevistët mendojnë se do të kenë një ofertë tjetër”.

Jashari u është përgjigjur komunave të cilat bënë apel që të hënën të ndërpritet greva në arsim dhe të nisë mësimi. Mediat vendase ndërkohë përcjellin një deklaratë të tij, sipas së cilës, SBASHK-u është në komunikim të vazhdueshëm me anëtarësinë dhe ka vendosmëri që greva të vazhdojë deri në realizim të kërkesave.

Sistemi arsimor në Kosovë është në grevë të përgjithshme që prej 14 janarit. Mësuesit po këmbëngulin nëpërmjet këtij aksioni që paga e tyre të rritet në masën 30%.

Top Channel