Një skemë tjetër mashtrimi u zbardh nga Prokuroria dhe hetimi tatimor. Një grup personash u arrestuan si përgjegjës për vjedhjen e 18 milionë eurove nëpërmjet rimbursimit të TVSH. Grabitësit e vërtetë ende nuk janë kapur, ndërsa ata që u arrestua janë kamarierë apo lavazhierë. Një prej tyre për tatimet është biznesmen, por në të vërtetë është aq i varfër sa edhe dhomën e vogël me qera nuk e paguan dot. 

Bledar Metko administratori i firmës Ble-Me, që rezulton me fatura shitje në një vlerë prej 216 mln lekësh jeton në këtë ambient, i cili nuk është më shume se 20 metra katrorë.

Në fakt në realitet Bledar Metko, është një punonjës lavazhi, baba i një djali 5 vjeçar të cilin nuk ka mundur që të çoje as në kursin parashkollor pasi nuk përballonte dot pagesën.

E ndërsa kur punonte arrinte të përballonte disi jetesën, tanimë që ai ndodhet në paraburgim si administrator i një firme qe kryente evazion me taksat, familja e tij ka mbetur në mëshirë të fatit për një krim që akoma nuk e dinë se kush e ka bërë dhe kush ka përfituar.

“Bledari na rezulton që kishte edhe 7 persona të punësuar, por në fakt gjendja e tij është Migjeniste, siç e shikoni edhe ju vetë”, shprehet Enea Cenko, avokati i tij.

Bashkëshortja dhe të afërm të Bledarit, shpresojnë që Prokuroria të gjejë sa më shpejt personat përgjegjës të kësaj skeme mashtruese në mënyrë që Bledari të rikthehet pranë familjes e cila, edhe në kushtet kur kryefamiljari punonte ishte në një situatë të vështirë ekonomike, ndërsa tani janë në mëshirë të fatit.

Top Channel