Shumëkush e quan Donald Trumpin një “egomaniak”, të tjerë një njeri që i pëlqen të ekspozohet edhe më shumë nga ç’duhet. Shpesh e tepron edhe me fyerje apo akuza, e për të gjitha këto, edhe ai vet mund të jetë dakord.
Presidenti krejtësisht unik i 45-të i Shteteve të Bashkuara krenohet me personin jokonvencional që ai është.
Të dielën, 72-vjeçari Trump arrin në gjysmën e mandatit të parë presidencial të tij. E deri më tani, ai e ka shndërruar Shtëpinë e Bardhë në “teatrin” më mbërthyes të planetit, e nuk pritet madje as ndonjë ndryshim kursi.
“Shfaqja është Trump dhe performancat janë të shitura kudo. Unë argëtohem duke e bërë këtë dhe do të vazhdoj të argëtohem”. Kështu shprehej ai për revistën “Playboy” në vitet 1990, kur ishte i ri, një princ ambicioz i pronave të paluajtshme në Nju Jork. Të njëjtën gjë, ai mendon dhe bën edhe sot.
Për dy vite, Trump ka tmerruar dhe elektrizuar. Ai ka lëkundur aleanca të hershme, ka përqafuar armiq të deklaruar dhe ka guxuar ta çojë Kinën në një luftë tregtare. Kundër rrymës, ai e ka transformuar veten në sytë e mbështetësve të devotshëm, të paktën, nga një “Playboy” miliarder në “njeriun e popullit”.
Gjatë rrugëtimit të tij, ai është bërë i pari president që shfaqet rregullisht në faqet e para të gazetave përkrah yjeve të pornografisë, spiunëve rusë dhe zinxhirëve të “Fast Food”-ëve.
Sipas një hulumtimi të “Washington Post”, Trump ka bërë 7.645 deklarata të pavërteta deri në fund të vitit 2018, thuajse 11 të tilla në ditë. Ky ishte vetëm akti i parë…
Tani, vëmendja nis e kthehet te rizgjedhja në vitin 2020 dhe, siç po e tregon edhe mbyllja e pjesshme e qeverisë, që ka thyer të gjitha rekordet, asgjë nuk mund ta ndalë atë.
Top Channel