Bashkëshorti 97-vjeçar i Mbretëreshës Elizabeth II, Princi Philip është tronditur pasi u përfshi në një aksident rrugor, në të cilin makina e tij “Land Rover” u përmbys në njërën anë.
Duka i Edinburgut raportohet të ketë shpëtuar pa u lënduar, por dy persona të tjerë në automjet janë plagosur, në aksidentin që ndodhi kur ai po drejtonte makinën në afërsi të pronës, në Sandringham.
Policia tha se dy gra, shoferja dhe pasagjerja e makinës me të cilën Duka u përplas, kanë kërkuar trajtim në spital, por më vonë janë lënë të kthehen në shtëpitë e tyre.
BBC ka raportuar se mjeti i Princit Philip është përmbysur pasi doli nga rruga dhe u përplas me një makinë KIA.
Princi Philip u tërhoq zyrtarisht nga jeta publike në vitin 2017. Ai është parë në timon në shumë raste gjatë një dekade, madje edhe bashkë me krerë botërorë apo personalitete të larta, si pasagjerë të tij.
Në vitin 2016, bashkë me Mbretëreshën, ai shoqëroi presidentin e atëhershëm amerikan Barack Obama dhe bashkëshorten e tij Michelle, në kështjellën “Windsor”, në një “Range Rover” pasi zbritën nga helikopteri presidencial.
I lindur Princ i Greqisë dhe Danimarkës, ai u martua me Princeshën Elizabeth II në atë kohë, më 20 nëntor të vitit 1947. Në përvjetorin e tyre të artë të 1997-s, Mbretëresha tha për të se “kishte qenë forca e saj gjatë të gjithë këtyre viteve”.
Top Channel