Presidenti amerikan Donald Trump ka shtyrë udhëtimet e ardhshme të kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, demokrates Nancy Pelosi, drejt Brukselit dhe Afganistanit, duke i kërkuar asaj të qëndrojë në SHBA dhe të negociojë dhënien fund të ngërçit që ka bllokuar pjesërisht qeverinë federale.

Presidenti ka mundur të ndalojë udhëtimin duke i refuzuar përdorimin e një avioni ushtarak zonjës Pelosi dhe delegacionit që do ta shoqëronte atë. Të mërkurën, Pelosi i bëri thirrje Trumpit të shtynte adresimin e tij për “gjendjen e kombit”, për shkak të ngërçit politik.

Lëvizja e fundit e Trumpit vjen në ditën e 27 të mbylljes më të gjatë në histori të qeverisë federale amerikane. Presidenti republikan kërkon një financim prej 5.7 miliardë dollarësh për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, por demokratët e kanë refuzuar.

Anulimi i fluturimeve nga Trump ndodhi vetëm një orë përpara se udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve të nisej, pasditen e së enjtes, sipas medieve amerikane. Zëdhënësja për shtypin e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders publikoi një letër të presidentit në “Twitter”.

“Mendoj se, gjatë kësaj periudhe, do të ishte më mirë nëse ju do të ishit këtu në Uashington për të negociuar me mua, e për t’iu bashkuar lëvizjes për sigurim më të fortë të kufijve, si dhe për t’i dhënë fund mbylljes qeveritare”, shkruante Trump.

Presidenti ironizonte madje, teksa shtonte se Pelosi mund të vijonte me udhëtimin, të cilin e përshkroi si “ngjarje PR-i”, duke përdorur një avion normal pasagjerësh.

Të enjten vonë, Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se nuk do të dërgonte një delegacion të Shteteve të Bashkuara në Forumin global për Ekonominë në Davos të Zvicrës, që do të mbahet në fund të këtij muaji, për shkak të bllokadës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA