Të paktën 20 persona janë vrarë në një sulm me autobombë në kryeqytetin kolumbian, Bogota. Dhjetëra të tjerë janë plagosur në shpërthimin që ndodhi në jug të qytetit.

Shoferi i mjetit, i cili është vrarë gjithashtu, është identifikuar si një 57-vjeçar. Asnjë grup nuk e ka marrë përsipër sulmin deri më tani.

Presidenti kolumbian, Ivan Duque e cilësoi atë një “akt të çmendur terrorist” dhe shpalli tri ditë zie kombëtare.

Makina, me të cilën u krye sulmi, hyri në territorin e Akademisë së Policisë “General Santander”, ku po mbahej një ceremoni promovimi për kadetët. Kur rojet në një pikë kontrolli tentuan ta ndalonin atë, shoferi rriti shpejtësinë dhe u përplas me një mur, e në këtë moment makina shpërtheu.

“Të paktën 68 persona janë lënduar, por pjesa më e madhe e tyre janë dërguar tashmë në shtëpi”, thanë zyrtarët.

Në mjet, sipas burimeve të policisë, gjendeshin 80 kg lëndë shpërthyese “pentolite”, që në të shkuarën është përdorur nga grupet guerrilase kolumbiane.

Autori i sulmit, Hoze Aldemar Rohas Rodriguez nuk ka të dhëna kriminale dhe jetonte në qytetin verior Bojaca, ku grupi rebel “Ushtria për Çlirim Kombëtar” është ende i pranishëm. Sidoqoftë, nuk ka të dhëna fillestare se ky grup qëndron pas sulmit, apo se autori kishte lidhje me të.

Një sulm i tillë me autobombë, në këto përmasa, nuk ndodhte prej kohësh në Bogota, teksa e gjeti kryeqytetin kolumbian të papërgatitur. Për më tepër, ai ndodhi në një shkollë policie, institucion që ka pësuar edhe shumë sulme gjatë kohës së dhunës së karteleve të drogës apo konfliktit të armatosur me rebelët e FARC.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA