Dy ish-drejtues të Fondit të Kujdesit Shëndetësor dhe njëkohësisht pronarë farmacish u arrestuan pas një aksioni të policisë për mashtrim. Petrit Skura dhe Gazmend Alia janë personat e vënë në pranga. Ata plotësonin receta me medikamente me rimbursim për persona të vdekur. Recetat arrinin deri në 30 000 lekë.

Skema e rimbursimit të ilaçeve me fonde shtetërore është përdorur nga një grup mjekësh dhe farmacistësh për të siguruar të ardhura të paligjshme. Sipas hetimeve, ky grup ka funksionuar në mënyrë të mirorganizuar. Mjekët lëshonin receta për persona të cilët kishin vdekur. Më pas, recetat ekzekutoheshin nga farmacistët, të cilët më pas merrnin edhe vlerën e rimbursimit, ku për një recetë kjo vlerë arrinte deri në 30 000 lekë.

E gjithë kjo skemë ka funksionuar në Tiranë. Pronarët e 3 farmacive Bio Plus, Medi Green dhe Geni dhe Lori kanë kryer procedurat e rimbursimit të të paktën 400 recetave për një periudhë kohore prej 3 muajsh në vitin 2018. Madje, hetimi ka zbuluar se janë lëshuar nga dy deri në 5 herë receta për ilaçe të rimbursueshme për të njëjtin person të vdekur. Farmacitë janë shumë pranë qendrave shëndetësore të lagjeve dhe bashkëpunimi në këtë aktivitet kriminal mes mjekëve dhe farmacistëve ka qenë i ngushtë, pasi informacioni për vdekjen e personave merrej në kohë reale, për të përgatitur recetat me ilaçet e rimbursueshme përpara se zyrat e gjendjes civile të lëshonin certifikatat e vdekjes.

Top Channel