Qeveria e Theresa Mayt përballet me një mocion mosbesimi gjatë kësaj të mërkure, pasi deputetët refuzuan planin e saj të “Brexit”-it.

Laburistët u hodhën në kërkim të zgjedhjeve të përgjithshme, pasi marrëveshja, që përcaktonte kushtet e divorcit të Britanisë së Madhe me BE-në, u refuzua me 230 vota.

Sidoqoftë, edhe vet laburistët mendojnë se ka pak gjasa që kjo të realizohet, me deputetët irlandezo-veriorë të “DUP”-së dhe konservatorët rebelë që thonë se do ta mbështesin kryeministren.

Votëbesimi në Parlament pritet të mbahet në 20:00, sipas orës sonë. May u ka thënë deputetëve se ajo do të rikthehet në Dhomën e Komunëve me një plan alternativ javën e ardhshme, në rast se ajo i mbijeton votëbesimit.

“Dhoma ka folur dhe kjo qeveri do të dëgjojë”, tha Theresa May.

Diskutimet e deputetëve mbi mocionin e mosbesimit kanë nisur, ndërkohë, dhe do të vijojnë për rreth 6 orët në vijim. Nëse kryeministrja do të kalojë sprovën, atëherë ajo do të nisë një seri takimesh me parlamentarë të lartë të enjten.

Sipas korrespondentëve, May synon të ruajë “linjat e saj të kuqe”, duke përjashtuar kërkesën e laburistëve për një union doganash me BE-në, me disa burime që sugjerojnë se kompromisi në këtë pikë do të rrezikonte dorëheqje të tjera në kabinet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA