Kina mund të ketë rritur bimët e para në Hënë. Farat e pambukut, të transportuara nga një sondë kineze, kanë mbirë, çka e bën këtë të parën herë që një fenomen i tillë shënohet në satelitin e vetëm natyror të tokës.

Studiuesit kinezë publikuan fotografi nga sonda duke treguar bimën që po rritet në një enë të vogël. Rritja e lëndës së parë biologjike në hënë shihet si një hap i rëndësishëm drejt eksplorimit afatgjatë të hapësirës.

Kina u bë vendi i pari që zbriti një sonde robotike në skajin e largët të hënës, në 3 janar, kur roveri me emrin Yutu 2, preku sipërfaqen duke u ulur në kraterin më të madh dhe më të vjetër të saj.

Misioni i tij përfshin një sërë detyrash, si të kontrollojë polet për ujë e të realizojë eksperimentin e parë hënor të radio-astronomisë me frekuencë të ulët.
Bimë janë rritur më parë në stacionin ndërkombëtar të hapësirës, por në hënë kjo nuk kishte ndodhur kurrë.

Aftësia për të mbjellë bimë atje do të jetë thelbësore për misionet hapësinore afatgjata, si udhëtimi në mars, që kërkon dy vjet e gjysmë kohë. Në këtë mënyrë, astronautët supozohet që do të mund t’i gjenin ushqimet e tyre në hapësirë, pa qenë nevoja të kthehen për furnizim në tokë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA