Marrja në pyetje e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Prokurorinë Speciale në Hagë vazhdon edhe të martën, me ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, që do të vijojë t’iu përgjigjet për të dytën ditë radhazi pyetjeve të prokurorëve, mbi pretendimet për përfshirjen në krime lufte apo paslufte në Kosovë.

Një ditë më parë, Mustafa u tha gazetarëve se do t’iu përgjigjej të gjitha pyetjeve të prokurorit. Po këtë javë, në Hagë do të merret në pyetje edhe Sami Lushtaku, po ashtu ish-komandant i UÇK-së.

Të dy ata kanë qenë figura të rëndësishme të zonave operative në Kosovë, gjatë luftës, ndërsa pas saj kanë mbetur aktivë në skenën politike, në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës.

Mes të thirrurve për t’u marrë në pyetje në Hagë, nga Prokuroria Speciale, janë edhe Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti e Raimonda Rreci.

Disa prej tyre do të paraqiten vullnetarisht dhe janë të gatshëm të sqarojnë rrethanat që po heton Prokuroria Speciale, ndërkohë Remzi Shala ka bërë të ditur se nuk do të paraqitet, pasi nuk i beson Gjykatës Speciale që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që janë ftuar për t’u marrë në pyetje, të bashkëpunojnë për të zbardhur “luftën e pastër të UÇK-së”.

Top Channel