E quan Gisele Bündchen “braziliane të keqe”, por e fton të bëhet ambasadore

15/01/2019 09:08

Ministrja e re e Agrikulturës së Brazilit e ka përshkruar si një “braziliane të keqe” modelen e famshme Gisele Bündchen, për shkak se aktivizimi i saj në fushën e mbrojtjes së mjedisit ka prishur imazhin e vendit në botë, duke e ftuar supermodelen në fakt që më mirë të bëhet “ambasadore” për sektorin agrikulturor.

Në një intervistë të sajën me një stacion radiofonik konservator gjatë së hënës, Tereza Cristina Dias ishte pyetur mbi problemet e marrëdhënieve me publikun (PR) që janë shkaktuar prej kritikave të Bündchen ndaj përpjekjeve qeveritare për të reformuar mbrojtjen e mjedisit.

“Është absurde ajo çfarë bëjnë ato sot me imazhin e Brazilit “, tha Dias, dikur udhëheqëse e kauzave të fermerëve në Kongres, përpara se të emërohej ministre e Mjedisit nga presidenti i ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro.

“Për shumë arsye, ato shkojnë edhe ofrojnë një imazh të Brazilit dhe industrive të tij joreale”, tha ajo.

“Më vjen keq Gisele Bündchen – shtoi ajo. – Ju duhet të ishit një ambasadore dhe të thonit se vendi juaj mbron nga shkatërrimi, se vendi juaj është në pararojën globale të ruajtjes, e jo të shkoni andej e këtej duke kritikuar Brazilin pa njohur faktet”.

Bündchen – aktualisht një ambasadore vullnetare për Mjedisin në OKB – nuk iu është përgjigjur deklaratave të ministres, por vështirë se do të pranojë ofertën.

Disa ditë pas zgjedhjes së Bolsonaros, Bündchen foli kundër propozimit për të bashkuar Ministrinë e Agrikulturës me atë të Mjedisit, duke e përshkruar këtë lëvizje si “potencialisht të keqe dhe një rrugë pa kthim”. Gjithsesi, duket se ka pasur sukses, pasi ministritë në fjalë kanë mbetur të ndara.

Edhe në vitin 2017, ajo doli kundër legjislacionit të propozuar për të hapur zonën pyjore të Amazonës prej 600 mijë hektarësh për zhvillim, duke detyruar ish-presidentin Michel Temer të vendoste veton ndaj pr.ligjit. Ajo akuzoi më pas qeverinë se po “nxirrte në ankand Amazonën” për sektorin privat.

Bündchen, 38 vjeç tashmë, ka punuar edhe për nisma për ujë të pastër dhe antishpyllëzimin, e madje është vlerësuar me çmimin “Qytetare për Mjedis Global” nga “Harvard School of Medicine”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA