Shërbimi i motit i BBC-së ka paralajmëruar se Europa do të përballet me më shumë reshje bore këtë javë, pas disa ditësh përmirësimi të kushteve të motit, që kanë marrë edhe dhjetëra jetë njerëzish në kontinent.
Moti i keq në të gjithë Europën ka shkaktuar kaos në udhëtime, ka izoluar qytete dhe ka shkaktuar të paktën 26 viktima. Reshje të tjera bore parashikohen për Austrinë dhe pjesë të Gjermanisë, ku paralajmërimet janë në fuqi që nga java e shkuar. Rreziku i orteqeve mbetet i lartë po ashtu.
Në Alpe, reshjet nuk do të ndalen dhe një numër resortesh për ski janë mbyllur. Por, nuk është aspak më e mirë situata në Ballkan. Reshje bore priten sërish në Greqi, në lartësinë mbi 800 metra. Bora ka krijuar probleme me qarkullimin ndërkohë në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, ku janë regjistruar edhe një numër aksidentesh rrugore me të lënduar.
Ndërkohë, situata në Serbi duket më e qetë dhe intensiteti i borës atje ka rënë, duke u shoqëruar edhe me një rritje temperaturash. Por, në anën tjetër, qiej të pastër dhe mot i ngrohtë e me diell parashikohet për Spanjën dhe Portugalinë, në kontrast të dukshëm me krejt pjesën tjetër të kontinentit europian.
Top Channel