Avioni luftarak mori flakë në ajër, rrëzohet pranë një baze amerikane në Kuvajt Një mosmarrëveshje ka shpërthyer mes kryebashkiakes së Romës dhe Kishës Katolike romane, në lidhje me atë që do të ndodhë me monedhat e marra nga shatërvani i Trevit.
Çdo vit, rreth 1.5 milionë euro nxirren nga shatërvani i famshëm. Tradicionalisht, ato i jepen një organizate katolike bamirësie për të ndihmuar njerëzit në nevojë, por tani, kryebashkiakia e Romës Virginia Raggi kërkon që paratë të shpenzohen për infrastrukturën e dëmtuar të qytetit.
Organizata humanitare “Karitas” thotë se, humbja e këtyre të ardhurave do të rëndojë mbi të varfrit.
“Ne nuk e kishim parashikuar këtë rezultat”, thotë drejtori i “Karitasit”, At Benoni Ambarus. “Unë vazhdoj të shpresoj se ky nuk është një vendim përfundimtar”.
Mediet italiane e kanë pasqyruar gjerësisht konfliktin, nën tituj si “Paratë u merren të varfërve” etj..
Këshilltarët e qytetit e kanë miratuar ndryshimin, që pritet të hyjë në fuqi në prill. Sidoqoftë, shumë italianë u janë drejtuar medieve sociale për t’iu kërkuar këshilltarëve të rishikojnë vendimin.
Raggi e mori kontrollin e Romës në vitin 2016, nën siglën e “Lëvizjes 5 yjet”. Popullariteti i saj ka shënuar rënie, për shkak të dështimit në adresimin e problemeve të pafundme të qytetit.
Shatërvani i Trevit, rreth 300-vjeçar, vizitohet nga miliona turistë çdo vit. Tradita e hedhjes së një monedhe në të është bërë e famshme nga kënga e Franc Sinatrës “Tre monedha në shatërvan”, në një komedi romantike të vitit 1954 me të njëjtin titull.
Po ashtu, shatërvani shfaqet edhe në filmin e vitit 1960, “La Dolce Vita”, ku aktorja Anita Ekberg futet në ujërat e tij.
Top Channel