May: Mbështesni marrëveshjen. Nëse s’ka Brexit, zhgënjejmë popullin britanik

14/01/2019 11:11

Kryeministrja britanike, Theresa May paralajmëroi të hënën deputetet që kanë vendosur të refuzojnë planin e saj të divorcit me BE-në, duke thënë se mosrealizimi i “Brexit”-it do të ishte një katastrofë për demokracinë britanike.

Në prag të votimit të së martës në Parlament, për marrëveshjen e saj të “Brexit”-it, May tha:

“Kam argumentuar se pasojat e refuzimit të marrëveshjes nga ana e Parlamentit do të shkaktonin paqartësi të mëdha dhe do të çonin në dy rezultate të mundshme: një Brexit pa marrëveshje, që do të shkaktonte trazira për ekonominë tonë, do të krijonte barriera për bashkëpunimin në siguri dhe do të shkaktonte probleme në jetët e përditshme të qytetarëve; ose rrezikun e asnjë “Brexit-i. Për të parën herë në historinë tonë do të dështonim të arrinim implementimin e rezultatit të një referendumi të detyrueshëm, duke zhgënjyer popullin britanik. Këto alternativa mbeten në lojë nëse marrëveshja refuzohet”, tha kryeministrja britanike Theresa May.

Udhëheqësja, që pritet të humbasë në votimin në Dhomën e Komuneve, madje me një diferencë të konsiderueshme votash, bëri edhe përpjekjen e fundit për të paralajmëruar mbi rreziqet e sabotimit të të gjithë procesit.

“Ne kemi detyrimin të implementojmë rezultatet e referendumit”, tha ajo, duke iu kërkuar deputetëve të marrin në konsideratë pasojat e veprimeve të tyre te besimi i popullit britanik. Britania e Madhe duhet të lërë Bashkimin Europian më 29 mars, por kur kanë mbetur më pak se 11 javë nga ky afat, ende nuk janë finalizuar detajet e divorcit.

Laburistët kanë premtuar se do të kërkojnë një mocion mosbesimi nëse May humbet. Udhëheqësi laburist, Jeremy Corbyn tha se ata do të votonin kundër marrëveshjes dhe do të kërkonin zgjedhje të përgjithshme, në rast se ajo do të miratohej. Rreth 100 deputetë konservatorë dhe 10 deputetë të Partisë Unioniste Demokratike presin aktualisht t’iu bashkohen laburistëve dhe partive të tjera të opozitës në votimin kundër.

Top Channel