Victor Orban paralajmëron se emigracioni do të përçajë BE-në përpara zgjedhjeve parlamentare. Kryeministri hungarez mbajti konferencën e parë për shtyp të vitit 2019 dhe e përdori këtë rast për të hequr një linjë të qartë mes ideologjive europiane.
“Në Bashkimin Europian do të ketë dy civilizime: njëri i përzierë, mysliman dhe i krishterë në Perëndim, e tjetri tradicional, europian i krishterë në qendër të Europës”, tha Orban.
Orban paraqiti hapur synimin e tij për arritjen e një shumice antiemigracion në zgjedhjet parlamentare të bllokut, në muajin maj.
“Çështja më e rëndësishme politike për ne janë zgjedhjet e Parlamentit Europian. 52% e hungarezëve besojnë se sfida më e madhe në BE është emigracioni. Vetëm ne mund të vendosim se me cilët duam të jetojmë në të ardhmen”, tha Orban.
Qeveria konservatore nacionaliste e Orbanit, që premton të vazhdojë rezistencën ndaj emigracionit masiv në vendet e BE-së, është përballur javët e fundit me një valë protestash masive.
Megjithatë, shefi i ekzekutivit nuk iu referua fare kësaj situate, por preferoi të fliste për zëvendëskryeministrin italian të së djathtës ekstreme, për të cilin tha se është ende heroi i tij.
Top Channel