Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe tha të enjten se bota nuk donte të shihte një Brexit të çrregullt dhe se ai mbështet plotësisht marrëveshjen e tërheqjes së Kryeministres britanike Theresa May, nga Bashkimi Evropian, që tani po ballafaqohet me humbjen në parlament.
Disa nga kompanitë e fuqishme të Japonisë në Britani kanë paralajmëruar se një Brexit pa marrëveshje mund të jetë një fatkeqësi. Pas takimit me May në Londër, Abe tha se ishte skenari që askush nuk donte të shihte.
“Është vullneti i fortë i Japonisë për të zhvilluar më tej këtë partneritet të fortë me Mbretërinë e Bashkuar, për të investuar më shumë në vend dhe për të gëzuar rritje të mëtejshme ekonomike me Britaninë e Madhe”, tha Abe përmes një përkthyesi në një konferencë shtypi së bashku me May.
“Kjo është arsyeja pse ne me të vërtetë shpresojmë se një Brexit pa marrëveshje do të shmanget dhe në fakt, kjo është dëshira e gjithë botës”, theksoi kryeministri japonez.
Firmat japoneze kanë shpenzuar më shumë se 46 miliardë dollarë në Britani, të inkurajuar nga qeveritë e njëpasnjëshme britanike, që kur Margaret Thatcher u premtoi atyre një bazë miqësore për biznesin, nga e cila do të tregtonin në të gjithë Evropën.
E ardhmja e Brexit mbetet thellësisht e pasigurtë, me opsione që variojnë nga dalja pa marrëveshje nga BE, në një referendum tjetër të anëtarësimit, sepse ligjvënësit britanikë pritet më 15 janar të votojnë poshtë marrëveshjen e arritur me BE në nëntor.
Abe ka qenë një nga mbështetësit më të fuqishëm ndërkombëtarë, të marrëveshjes së Brexit të May, që kur u arrit në nëntor. Kur të dy u takuan në një takim të G20 në Buenos Aires në dhjetor, ai kërkoi mbështetjen e May për të shmangur një dalje pa marrëveshje dhe për të siguruar transparencën, parashikueshmërinë dhe stabilitetin ligjor në proces.
“Japonia është në mbështetje të plotë të draft marrëveshjes së tërheqjes të punuar mes BE dhe Kryeministres May që siguron tranzicionin për të siguruar stabilitetin ligjor për bizneset që kanë investuar në këtë vend”, tha ai.
Megjithatë, investitorët kanë frikë se nëse marrëveshja e saj do të mposhtet siç pritet, atëherë ekonomia e pestë më e madhe në botë mund të zhytet në një dalje kaotike, pa marrëveshje nga blloku më i madh tregtar në botë që do të prishin ndjeshëm zinxhirët e furnizimit.
Top Channel