Në qytezën me shumicë serbe të Bujanovacit, në kufi me Kosovën, vendi se ku do ta pish kafenë varet se cilës etnie i përket.
“Shqiptarët dhe serbët nuk shkojnë në të njëjtat lokale”, thotë Valon Arifi, një shqiptar i zonës.
Qyteza ka shumicë serbe, por në rajon shqiptarët janë më të shumtë.
Prandaj Lugina e Preshevës ka qenë qendër të spekulimeve të fundit: mund të bëhet pjesë e një këmbimi toke për të mbyllur armiqësitë midis Serbisë dhe Kosovës?
“Njerëzit këtu pinë kafe bashkë vetëm kur bëjnë biznes”, thotë Valoni. “Por të pish kafe si miq? Nuk bëhet fjalë.”
Nëse e porosit kafenë në vendin e gabuar, do ta marrësh mesazhin menjëherë.
Fjalëkalimet e internetit në lokale janë “Shqiptarët nuk janë të mirëpritur këtu”, ndërsa në lokalet shqiptare mund të ketë diçka të ngjashme kundër serbëve.
Ndarja etnike është pjesë e jetës në Luginën e Preshevës, një kënd i varfër i Serbisë.
Vendi ku jeton, shkolla ku shkojnë fëmijët dhe gjuha që flet, feja që ndjek, pasqyrojnë origjinën tënde.
Që pas luftës së përgjakshme midis Kosovës dhe Serbisë në vitin 1999, marrëdhëniet kanë qenë të tensionuara midis dy vendeve. Serbia s’e ka njohur kurrë pavarësinë që Kosova e shpalli në vitin 2008.
Por Brukseli do që Beogradi të gjejë pajtim me fqinjin, para se të vazhdojnë me anëtarësimin e Serbisë në BE. Kosovo, në anën tjetër, do të zyrtarizojë njohjen në OKB, që është bllokuar nga aleati i Serbisë, Rusia.
Një zgjidhje dramatike, që për shumë veta duket e pamendueshmen, mund të ishte këmbimi i territoreve sipas linjave etnike.
Kosova do të merrte luginën e Preshevës, ndërsa veriu i Kosovës, me shumicë serbe, do t’i kalonte Serbisë.
Por asgjë nuk është vendosur deri tani dhe s’do ta dijë njeri nëse do të ndryshojnë kufijtë.
Ndërkohë që bisedimet në Bruksel janë pezulluar, Kosova ka vënë një tarifë prej 100% mbi mallrat serbë.
Ndërkohë, Uashingtoni vazhdon shton presionin, teksa presidenti Trump u bën thirrje udhëheqësve të Kosovës e të Serbisë që të bëjnë paqe.
Në veriperëndim të Bujanovacit, edhe më afër kufirit me Kosovën, komuniteti i Tërnovës është i gjithë shqiptar.
Propozimi që Presheva t’i bashkohet Kosovës nuk është diçka e re. Pas luftës, Tërnova u bë një qendër e forcave paraushtarake të Kosovës që luftuan Serbinë deri në vitin 2001.
Adriona Shabani, studente për mjekësi në Tiranë, është kthyer në shtëpi për pushime dhe ajo po ashtu do ta pëlqente bashkimin e Preshevës me Kosovën.
Kur ka qenë e vogël, ajo nuk ka pasur asnjë shok që të ketë folur serbisht.
“Nuk më pëlqen gjuha e tyre”, thotë ajo. “Nuk është interesante si anglishtja apo frëngjishtja.”
Mamaja e saj, Xhevahire, mund të mos pijë kafe me serbët, por gjuhën e flet.
“Kemi jetuar në kohën e Jugosllavisë, kur serbët dhe shqiptarët supozoheshin të ishin të bashkuar”, thotë ajo.
“Ky brez është rritur në kohë lufte, kur është reklamuar urrejtja. Përvojat e ashpra i kanë bërë njerëzit të largohen nga njëri-tjetri.”
Pak kilometra në lindje, Rakovaci është në një rrugë të rrethuar nga fusha me lakra.
“Rakovaci është një fshat i vjetër serb. Nuk duam të jemi pjesë e Kosovës”, thotë Vukasn, i cili është në të njëzetat e nuk do që t’i përdoret mbiemri.
Po të ndryshonin kufijtë e Rakovaci të bëhej pjesë e Kosovës, do të kishte rrezik për dhunë?
“Mund të ndodhë”, tha Dragoslavi, i cili punon duke prerë e duke shitur dru.
I lodhur nga politika, Stojko Janic do të donte të mos ishte krijuar kjo ndasi midis komuniteteve.
“Kam punuar me shqiptarët për 17 vite”, kujton ai. “Kisha më shumë miq mes tyre se mes serbeve. Ata duan ende të jenë miq me mua, por kanë frikë se mos shihen si tradhtarë”.
Në të paktën një vend, miqësitë vazhdojnë të krijohen.
Në fushën e basketbollit Play 017 të Bujanobacit, stërviten bashkë shqiptarë, serbë dhe romë.
“Kur isha i vogël, ne luanim të gjithë bashkë, por gjërat ndryshuan për shkak të luftës”, thotë themeluesi i klubit, Nenad Stajic, i cili është serb.
“Filozofia ime është që në çdo vend të botës, fëmijët qajnë njësoj. S’kjanë asnjë ndryshim. Të rinjtë duhet të mësojnë të jetojnë bashkë, të punojnë bashkë dhe të bëjnë miq.”
Hevzi Imeri, shqiptar, dhe Danilo Dabetic, Serb, janë miq të mirë e të dy duan të bëhen futbollistë profesionistë.
“Danilo është si shokët e mi shqiptarë, vetëm se flet një gjuhë tjetër”, thotë Hevziu, i cili e flet mirë serbishten.
Kjo miqësi sfidon kulturën e kafeve në Bujanoc.
“Ne shkojmë bashkë për kafe, dalim bashkë, i festojmë ditëlindjet bashkë”, tha Daniloja.
Por e gjitha kjo mund të ndryshojë nëse kufijtë e Preshevës ndryshohen.
Linda Pressly dhe Albana Kasapi BBC Radio 4
Top Channel