Presidenti Donald Trump u çua e doli nga takimi me krerët demokratë, ndërsa negociatat përfunduan sërish pa sukses në ditën e 19 të mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë i quajti “një humbje e plotë kohe” bisedimet me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe kreun e demokratëve të Senatit, Chuck Schumer.
Ky i fundit u shpreh se, kreu i shtetit ishte larguar papritur nga salla e takimit, gjë që sipas tij ishte “vërtet për të ardhur keq”.
Për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy palëve për fondet e sigurisë kufitare, një e katërta e qeverisë federale ka mbetur e mbyllur që nga 22 dhjetori.
SHBA, bisedimet për rihapjen e qeverisë përsëri në rrugë pa krye
Trump këmbëngul se u takon demokratëve “të kalojnë ligjin për buxhetin dhe të rihapin qeverinë”, ndërsa ata vet ia faturojnë situatën e krijuar refuzimit të presidentit për të hequr dorë nga kërkesa e një fondi 5.7 miliardë dollarësh për ngritjen e murit në kufi me Meksikën.
Sot, Trumpi do të shkojë vet atje e do të vizitojë një postë të patrullimit kufitar në luginën e Rio Grandes në Teksas. Presidenti do të informohet mbi të rejat e fundit të sigurisë, në atë që konsiderohet si sektori më i ngarkuar i të gjithë kufirit, për kalimet e paligjshme të emigrantëve.
Top Channel