Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un gjendet në Kinë për katër ditë bisedime me Presidentin kinez Xi Jinping. Të martën në mëngjes mbërriti në Pekin një tren i posaçëm, në bordin e të cilit ndodheshin Kim Jong Un dhe bashkëshortja e tij Ri Sol Ju, si dhe një grup zyrtarësh të lartë koreano-veriorë.

Agjencia zyrtare e lajmeve të Koresë së Veriut tha se Kim ndodhet në kryeqytetin kinez me ftesë të Presidentit Xi Jinping. Që nga viti i kaluar, kjo është vizita e katërt e Kim Jong Un-it në Kinë, aleatja kryesore ekonomike dhe diplomatike e Koresë së Veriut. Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump tha se po zhvillohen negociata për zhvillimin e një samiti të dytë.

“Po negociojmë për vendin ku do mbahet takimi ynë i dytë. Ndoshta do të njoftohet në një të ardhme jo shumë të largët. E kanë bërë të qartë edhe nëpërmjet medias se duan të takohen. Edhe ne duam të takohemi, kështu që do të shohim ç’do të ndodhë. Sidoqoftë, sanksionet mbeten plotësisht në fuqi dhe do të vazhdojnë kështu derisa të kemi prova”, tha Trump.

Kim Jong Un është shprehur rishtazi se do të ishte i gatshëm për një takim tjetër me Trump, por paralajmëroi se vendi i tij mund të detyrohet të ndërrojë kurs, nëse Uashingtoni nuk ndërmerr “masat përkatëse”. Ai shprehu edhe pakënaqësinë e tij me taktikat e presionit të Uashingtonit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA