Temperaturat e ulëta e kanë kapluar edhe Kosovën. Reshjet e borës, kësaj radhe, nuk e kanë zënë të papërgatitur Komunën e Prishtinës, e cila, në kohë reale ka ndërmarrë masat për pastrimin e rrugëve të kryeqytetit, por, edhe të zonave rurale rreth tij.

“Që prej fillimit të reshjeve të cilat janë përcjellë me temperatura të ulëta, ku mbrëmë ka arritur deri në -14 gradë celsius, mund të themi se gjatë kësaj kohe kemi arritur që ta sanojmë gjendje dhe ta kemi gjendjen nën kontroll duke i bërë rrugët të qarkullueshme, pa pengesa të mëdha”, u shpreh Habib Qorri nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.

Ndërkaq, në qendër të Prishtinës, në hapësirën e Bibliotekës Kombëtare, është krejtësisht ndryshe. Asnjë shteg i këmbësorëve nuk është i pastruar nga bora gjë që, sipas qytetarëve, paraqet problem.

“Ky është njëri prej vendeve më të frekuentuara prej studentëve dhe qytetarëve dhe është shumë rrezik për të ecur këtu”, thotë një qytetar.

“Papërgjegjësi dhe mos interesim për mos kryerjen e obligimeve ligjore ndaj qytetarëve të kryeqytetit”, thotë një qytetare tjetër.

“Hapësira e Bibliotekës Kombëtare është nën menaxhim të Universitetit të Prishtinës”, tha Habib Qorri.

Por, temperaturat e ulëta nuk kanë ndikuar në zhvillimin normal të procesit mësimor në shkollat e Prishtinës.

“Të gjitha shkollat në Komunën e Prishtinës janë të gatshme për fillimin e gjysmë vjetorit të dytë dhe sa i përket ngrohjes nuk ka asnjë problem”, deklaroi Fatlum Osmani, Zyrtar për logjistikë në DKA Prishtinë

Temperatura ka arritur në -16 gradë celsius në Komunën e Kaçanikut, ndërkaq, sipas ekspertëve të meteorologjisë, edhe këtë javë në Kosovë do të vazhdoj acari, me reshje më të qëndrueshme bore.

Top Channel