Vërtet është frustruese! Blen një pajisje të re dhe, sapo garancia përfundon, ajo pëson një defekt. Nuk mund ta riparosh dhe mund të mos gjesh as dikë tjetër që mund ta bëjë këtë me një çmim të përshtatshëm, ndaj ajo i bashkohet malit global të mbeturinave.

Kësisoj, detyrohesh të blesh një të re, duke kontribuuar në thellimin e ndryshimeve klimatike për shkak të gazrave që shkaktojnë efektin serë, që çlirohen gjatë procesit të prodhimit.

Por, tani duket se diçka po ndryshon! Qytetarët në BE dhe disa pjesë të Shteteve të Bashkuara do të fitojnë shumë shpejt atë që quhet “E drejta për të riparuar”.

Kjo konsiston në një seri propozimesh nga ministrat europianë të Ambientit, për t’i detyruar prodhuesit që të bëjnë mallra që jetojnë më gjatë dhe janë më të lehtë për t’u riparuar.

Propozimet europiane i referohen ndriçimit, televizorëve dhe pajisjeve të mëdha shtëpiake. Të paktën 18 shtete amerikane po marrin në konsideratë ligje të ngjashme, në kuadër të një lëvizjeje kundër produkteve që nuk mund të vlerësohen ndarazi, pasi janë të mbledhura bashkë, apo për të cilat nuk gjenden pjesë këmbimi, apo nuk kanë instruksione për riparimin.

Sidoqoftë, këto plane përballen edhe me kundërshti. Prodhuesit thonë se rregullat e propozuara për riparimin janë shumë strikte dhe do të pengojnë inovacionin. Në anën tjetër, aktivistët që mbështesin të drejtën për të riparuar ankohen se, Komisioni Europian u ka lejuar kompanive të ruajnë kontrollin edhe mbi procesin e riparimit, duke këmbëngulur se disa produkte riparohen nga profesionistë nën kontrollin e prodhuesve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA