Teksa gjyqi i El Çapos vazhdon në Nju Jork të SHBA-ve, një prej dëshmitarëve tregoi se vrasësi më i besuar i bosit të drogës kishte një dhomë enkas për të kryer vrasjet.
Sipas tij, dhoma kishte një sistem kullimi për ta pastruar shpejt, të cilën e kishte parë me sytë e tij: “Më çoi në një shtëpi ku dyshemeja ishte vetëm me pllaka të bardha. Aty i vriste njerëzit”, rrëfeu Edgar Galvan për vrasësin e El Çapos, të quajtur Antonio “Jaguar” Marrufo.
Kjo shtëpi “thertore” ndodhej në Suidad Huarez të Meksikës, por dëshmitari Galvan nuk di të shpjegojë se ku ishte me saktësi. Ai mban mend që vrasësi i kishte thënë se shtëpia ishte e izoluar për zhurma, që të mos dilte asnjë zë jashtë, dhe se ai e kishte parë vetë sistemin e kullimit në dyshemenë e dhomës së bardhë.
Galvan, dëshmitari 41-vjeçar, thotë se ai ishte futur rastësisht në botën e trafikut të drogës, teksa punonte si taksist pas divorcit, e teksa e kalonte kohën nëpër diskoteka.
Ai kishte njohur Marrufon në një klub, fillimisht si mik me të cilin shkonte nëpër festa, por shumë shpejt e kishte gjetur veten duke punuar për të, teksa kontrollonte qytetin e Huarezit në emër të kartelit të El Çapos.
Galvan tregoi se si e kishte ndihmuar Marrufon të kalonte armë përtej kufirit “për të vrarë gjithë rivalët, që Guzman të kontrollonte gjithë territorin e kufirit”, siç citon ai Marrufon.
Galvan u arrestua në vitin 2011 pasi u kap me drogë dhe armë zjarri. Ai ka kryer tetë vite nga dënimi 24 vjeçar. Marrufo mbahet në burg në Meksikë. Kur u arrestua, policia gjeti në shtëpinë e shokut të Marrufos 40 kallashnikovë, një antitank dhe jelekë antiplumb.
Top Channel