E ftuar në “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, në intervistën e parë për vitin 2019 në ekranin e Top Channel, znj. Grida Duma deklaroi se, për shkak të protestës që kanë zhvilluar studentët dhe e rinisën tashmë pas pushimeve të fundvitit, pagat e pedagogëve për muajin dhjetor nuk janë ndarë, megjithatë, ata nuk flasin.
“Unë jam pedagoge në Universitetin e Tiranës, te Shkencat Sociale. Tani e jashtme, por kam qenë e brendshme prej 15 vitesh. E dini ju që nuk kanë kaluar pagat e pedagogëve në të gjithë Shkencat Sociale? Flas këtu për muajin dhjetor, nuk kanë kaluar pagat. Arsyeja është se, edhe pagat e tyre varen 35 për qind nga tarifat e studentëve, universiteti duhet të mbahet nga tarifat e studentëve. Problemet e studentëve për të paguar tarifën kanë sjellë edhe mungesën e pagave për pedagogët. Asnjëri prej tyre nuk reagon, unë habitesha se përse nuk reagonin ata, por me sa duket qëndrimi i pedagogëve sot është në solidaritet me një çështje më të rëndësishme, që janë vet studentët. Ata po qëndrojnë në vijën e dytë, për të thënë se pagat e tyre janë më pak të rëndësishme sesa kauza e madhe e studentëve. Sistemi është i tillë, në të cilin vet reforma në Arsimin e Lartë ka shkaktuar katastrofë cilësie e menaxhimi, e çfarë ka prodhuar në fund fare? A mund të imagjinojmë ne, se një universitet publik do të ketë mundësi të menaxhojë me eficencë paratë, njësoj si entitet privat? Kjo është e pamundur. Të gjithë historinë e menaxhimit midis privatit dhe publikut ne e dimë shumë mirë se ku shkon dhe ku anon”, deklaroi Grida Duma.
E nëse arsyeja në thelb është politike, atëherë kemi të bëjmë me politikbërjen për Arsimin e Lartë. Qeveria thotë se ligji për Arsimin e Lartë nuk do të bjerë, por do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi. A ka opozita, PD-ja konkretisht, një propozim konkret se çfarë u vjen studentëve si alternativë në arsimin e lartë?
“Që në momentin që nisi të hartohej drafti i ligjit, apo Reforma e famshme e Arsimit të Lartë, ne e kemi thënë se do të ishte katastrofa e sistemit universitar. Gjithçka kemi thënë në këto momente është hedhja poshtë e të gjithë paketës së reformës në arsimin e lartë, kalimi te tarifat me përshkallëzim kategorie, midis atyre që nuk kanë fare të ardhura. Çështja është diferenca midis një njeriu, që është në pushtet dhe duhet ta bëjë, e që nuk duhet të jetë njeriu që duhet ta thotë. Nga ana tjetër, nuk mund të thuash pas 5 viteve që do ta bëj sot, sepse u shtrëngova ta bëj. Përgjegjësia mbahet që nuk e ke bërë në kushte normaliteti. Ende edhe sot nuk ka bërë asgjë, buxheti kaloi dhe është gënjeshtër që do të bëhet. Buxheti për arsimin është i njëjti, ose rreth 2.2 milionë dollarë më pak. Nëse flasim për elementë ekonomikë, e gjithë paketa e tarifave dhe subvencioneve që u jepen studentëve shkon në 22 milionë…”, tha Duma.
Por kryeministri ka thënë ndërkohë se nuk është e nevojshme të rishikohet buxheti, sepse zërat financiarë janë brenda këtij buxheti.
“Edhe kjo është gënjeshtër e plotë”, tha më tej Duma.
Top Channel