Pikave të basteve ju është vënë dryni. Gjithsej të licencuara operonin në Shqipëri 5550 të tilla, por qindra të tjera punonin pa licencë. Bastet mbërthyen shqiptarët për vite të tëra dhe duke filluar që sot, ato nuk do të jenë më funksionale.

Edi Rama kryeministri i vendit e morri këtë vendim javën e dytë të tetorit të shkuar, pak ditë pasi në bllok kishte ndodhur një përplasje me armë zjarri, ku një ndër pronarët e kompanive më të fuqishme në vend të basteve, Ervis Martinaj kishte mbetur i plagosur.

Kryeministri i vendit bëri një tur në Shqipëri, ku mes të tjerave shpjegoi herë me seriozitet dhe herë me humor, se ndalimi me ligj i kumarit në Shqipëri, ishte një rrugë pa kthim.

Deklaratat e kryeministrit për të gjithë ata që i zotëronin këto kompani bastesh, ishin tejet të rënda. Ai akuzonte për pastrim parash dhe krim të organizuar, ndaj edhe vendimi i tij u zyrtarizua në parlament me shpejtësi të madhe, dy muaj pasi ai e njoftoi publikisht.

Edhe pas këtij vendimi, jo vetëm ai, por edhe ministri i Brendshëm ka ripërsëritur disa herë se respektimi i këtij ligji do të jetë rigoroz.

Por si do të zëvendësohet ajo tek të infektuarit e kësaj loje. Bastet online ndërkombëtare janë një opsion i tyre, por edhe për këtë kryeministri ka deklaruar se do të angazhohet personalisht të mos funksionojnë në vend.

Top Channel