Siç dhe e prisnim, “Shiko kush Luan”, në Top Channel ka rezervuar një puntatë festive për mbrëmjen e sotme duke qenë se jemi shumë pranë ndërrimit të viteve.

Një nga lojrat e konceptuara për Olti Currin nën drejtimin e një prej kapitenëve, Adi Pojanës, ishte menduar në formë “kartolinash me zë”. Me të parë fotot e personazheve që shfaqeshin në ekran, Olti duhet të përpilonte një kartolinë të shkurtër urimi për ta.

Pasi nisi urimin pë Adelina Tahirin për të cilën ka bërë batuta në rrjete sociale, ai ndaloi për një moment dhe u shpreh: “Kush ishte kjo dhe njëherë? E ngatërrova me Adelina Ismailin. Jo, jo s’kam kartolinë fare për këtë” – përfundoi Olti. Për Erion Veliajn, Olti nisi kartolinën duke e uruar për të birin por përsa i përket pjesës së politikës, ai nisi të këndojë një këngë lamtumire duke nënkuptuar largimin e Veliajt në qershor nga posti i kryebashkiakut, të cilit ia kundërshton shpesh politikat edhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Për Tunën, Olti uroi një “hit” këtë vit ose të rrijë rehat se emrin e ka.

Qershia mbi tortë ishte kartolina për Ermal Mamaqin. Pasi bëri urimet për një vit të ri të mbarë, Olti tha se njësoj si fëmijët që i kërkojnë dhurata Babagjyshit të Vitit të Ri, Ermali ulet në prehrin e Samir Manes dhe i merr dhuratat.

Top Channel