Në fund të vitit bëhen gjithmonë bilance dhe bilanci më i rëndësishëm është ai i ekonomisë dhe financave. Për të bërë një analizë të përmbledhur, e sa më të kuptueshme në terma, në studion e Top Talk ka qenë i ftuar Profesor Adrian Civici, ekspert ekonomie dhe financash.
Civici në studion e “Top Talk” bën një analizë të ekonomisë shqiptare nga dy këndvështrime, nga ajo e shifrave dhe nga tjetër nga sa e kënaqur është popullsia ekonomia.
“Nëse e shikojmë nga ana e shifrave, ekonomia shqiptare ka një rritje ekomomike pozitive, edhe treguesit makroekonomikë kanë qenë pozitivë. Por ekonomia ka edhe anën tjetër: Sa ka përfitues ka qenë popullsia shqiptare në raport me ekonominë tonë”, shprehet Civici.
Profesor Adrian Civici, është ndalur më tepër në pikën e dytë, të cilën e vlerëson si më të rëndësishme. Sipas tij ka një shpërndaje të pabarabartë të rritjes ekonomike dhe jo të gjitha shtresat i ndjejnë efektet pozitive të saj.
“Mënyra se si shpërndahet rritja ekonomike, në Shqipëri vijon të jetë problematike dhe e pabarabartë. Një pjesë e vogël e aktorëve ekonomikë kontribuojnë për 90% të PPB-së dhe njëkohësisht përfitojnë edhe 90% të saj. Pjesa tjetër, o është e angazhuar shumë dhe përfiton pak duke qenë e varur nga politikat buxhetore dhe sociale. Ne jemi akoma në një fazë në atë që quhet rritje ekonomike përjashtuese. Mund të kesh një shifër pozitive, por shpërndarja e aktiviteti ekonomik për pasojë e punësimit është e përqendruar në disa pjesë të vendit. Kryesisht rrotull Tiranës, e deri diku në Shkodër dhe Vlorë. Pjesa tjetër e territorit është akoma jashtë dinamikës së rritjes së ekomomike. Kjo bën që një pjesë e madhe e njerëzve ose të kenë probleme me punësimin ose të kenë punësim kryesisht në sektorin publik, të kenë paga të ulëta”,
Duke folur për papunësinë, Civici vlerësoi si pozitive shifrat e publikuara nga INSTAT, ku thuhet se papunësia në Shqipëri është në nivelin 12,2-12,3%.
Por sipas tij, kjo njësi matëse nuk është 100 % e vërtetë pasi fshihen 2 elementë të rëndësishëm.
“Mënyrë se si e llogarisim ne papunësinë fsheh 2 elementë. E para quhet i papunë, ai që regjistrohet për të kërkuar punë. Një pjesë e madhe njerëzve nuk kërkojnë në mënyrë zyrtare punë, sepse nuk besojnë se mund të gjejnë. Është edhe punësimi i pjesshëm, kryesisht në zonat rurale. Njëkohësisht ka edhe një element tjetër, që është tipik për Shqipërinë, që është papunësi vullnetare. Që do të thotë se një pjesë e madhe e njerëzve, edhe pse janë të papunë nuk kërkojnë punë, për shkak se: pagat që ofrohen në treg janë shumë të ulëta dhe kjo shpjegon tendencën në rritje për t’u larguar nga Shqipëria”, u shpreh Civici.
Top Channel