Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar ashpër kompanitë importuese të derivateve të naftës për rritjen e çmimit në treg.
“Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodh aktualisht nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
Ai ka kujtuar edhe një herë se çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, ndërsa në tregun kosovar operatorët nuk kanë reflektuar.
“U bëj thirrje Autoritetit Kosovar te Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës së Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmave të tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe”, u shpreh Haradinaj, duke theksuar se çmimi i naftës duhet të jetë konform atij të tregut.
“Është normale që tregu i lirë të funksionojë në mënyrë të pavarur, por kjo nuk nënkupton në asnjë formë dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare”, deklaroi kryeministri.
Top Channel