Aktori i famshëm Amerikan Kevin Spacey do të akuzohet për agresion seksual në dëm të një djali 18-vjeçar, pasi dhuna është denoncuar nga mamaja e djalit, Heather Unruh, ish spikere e një televizioni të Bostonit.
Spacey, protagonist i serialit “House of Cards”, gjendet i përfshirë gjithashtu që prej një viti në skandalin MeToo. Prokuri i Massachusetts, Michael O’Keefe, ka dhënë urdhrin që Spacey të paraqitet në seancën gjyqësore me datë 7 Janar të 2019-ës në gjykatën e Nantucket.
Kevin Spacey ditët e fundit ka postuar një video në rrjetet sociale duke interpretuar personazhin e tij tek “House of Cards”, duke thënë: “Nuk kam ndërmend të paguaj asnjë çmim për gjëra që nuk i kam bërë”! Aktori e ka publikuar videon direkt pas njoftimit të prokurorit të Massachusetts.
Megjithatë, ende nuk është qartësuar nëse në monologun prej tre minutash që Spacey ka mbajtur në video, i është referuar çështjes gjyqësore, apo personazhit popullor të serisë, që kompania Netflix ka vendosur të vrasë pas skandalit seksual që ka përfshirë aktorin. Gjithsesi, Spacey Shprehet: “Nuk ka mbaruar, do të rikthehem sërish”!
Top Channel