Cila është enigma që mbart struktura e godinës së ish- Kinostudios “Shqipëria e re” në librin studimor të Gëzim Qendros, shtuar serisë së surrealizmit socialist? Cilat janë zbulimet e tij, analizat dhe interpretimet dhe përse u shpërfill nga regjimi arkitektura që në përfundimin e studiuesit ishte një program ikonografik kryekëput subversiv: me planimetri kishash me anijatë dhe transet, kube me perëndi pagane në kulm, me Gralin e shenjtë në hyrje, punëtorë e fshatarë të pikturuar në vend të shenjtorëve, guaska shatërvanësh dhe burime të shenja…
Arkitekti Endri Marku shpjegon se studimi nis nga një përvojë e tillë: me zbulimin befasues se, planimetria e ndërtesës tashmë historike të ish-Kinostudios “Shqipëria e re” ka formën e kryqit. Është një pamje e Kinostudios që ofrohet nga sateliti ku shquhet planimetria e pazakontë e saj. Kjo, në fakt, qarkullonte prej vitesh si një kuriozitet, përfshirë me mister mbi epokën staliniste me gjurmët e saj uzurpuese. Edhe pse dihej, si atëhere, dhe në këta vite askush nuk e ka artikuluar me zë të lartë, dhe përfshirja në një studim të tillë e bën edhe më domethënëse epokën e stalinizimit mbi Shqipërinë.
Nga ky zbulim, kritiku i njohur i artit shqiptar Gëzim Qendro shkruan: “…Mbeta i shtangur pa u besuar syve. Çudi, si nuk e kisha vënë re më parë, në atë ndërtesë kisha punuar gati dhjetë vjet! Dhe nga ajo kohë kishin kaluar edhe plot gjashtëmbëdhjetë vite të tjera! Me sa duket, edhe unë, ashtu si hutini i Minervës, duhej të prisja “të binte muzgu i Historisë”, për të “parë” atë që dikur e kisha pasur para syve. Por, ndryshe nga hutini që zbulon duke vëzhguar me sytë e tij të mprehtë, zbulimi, si të thuash, “m’u shfaq vetë”.
Ky libër është një studim rret arkitekturës dhe formave që ka ndërtesa që projektuan rusët dhe ku u vendos kinemaja shqiptare që i dha jetë propagandës dhe farkëtimit komunist të shqiptarëve. Këndvështrimi dhe analizat semiotike të studiuesit dhe artistit Gëzim Qendro të këtyre shenjave të hapësirës publike në këtë studim janë krejt origjinale.
Pjesë nga Libri
“Njëlloj si në kishat bizantine, nga kulmi i kubesë varet një shandan…Isha pa fjalë. Nuk do të isha çuditur më shumë po të kisha parë dikur ndonjë funksionar të lartë komunist me kryq në qafë. Ende i bindur se po shihja ëndërr me sy hapur, por tashmë i kapur nga ethet e zbuluesit, u përpoqa të gjej dëshmi të reja për ndonjë program të mundshëm ikonografik qëllimisht subversive ku përfshihej struktura dhe dekorimi i ndërtesës, të cilën, meqë e njihja shumë mirë, mjaftoi një “shëtitje” e shpejtë me mend nëpër hapësirën e brendshme dhe ballinën e sja për të zbuluar edhe disa elementë të tjerë subversivë për ideologjinë dhe simbolikën zyrtare totalitare si: vendosja e dy burimeve të shenjta anash hyrjes kryesore, medaljonet, pjesë e repertorit klasik të arkitekturës fetare të Rilindjes, dy shatërvanët me tre guaskat dhe një shatërvan brenda ndërtesës. Pra, me sa duket, qenka një program i mirëfilltë ikonografik! Mos padashur kisha zbuluar një skelet të fshehur në dollapin e arkitekturës socialiste?”
Top Channel