Paraditen e sotme Partia Demokratike akuzoi ministrin e Financave Arben Ahmetaj se ka rol të rëndësishëm në devijimin e rrjedhës së lumit Lana për t’i krijuar trafikantit Edmond Bego kushtet e duhura për ndërtimin e një kompleksi pallatesh në zonën e “ish-Serave”.

Sipas PD, projekti rezidencial që do t’i kushtojë Begos 60 milionë euro do të ngrihet mbi një pronë rreth 31 mijë metra katrorë që është privatizuar me ndihmën e Ahmetajt.

“Arben Ahmetaj, mashtroi qytetarët, kur tha se ministria e drejtuar prej tij nuk ka patur asnjë lidhje me Edmond Begon gjatë procesit të privatizimit të zonës, ku i dënuari me 21 vjet burg për trafik droge do të ndërtojë projektin rezidencial 60 milionë euro”, u shpreh deputetja e PD, Jorida Tabaku.

Ndërkohë sipas zëdhënëses së PD, Ina Zhupa “afera e projektit 60 milionë euro pranë Unazës së Madhe me ndërtues trafikantin e drogës Edmond Bego, e ka pikënisjen tek Ministria e Financave”

“Edmond Bego është personi që ka paguar rreth 1.5 milionë euro në llogarinë e Ministrisë së Financave, të ndarë në 4 këste, nga muaji nëntor 2015 deri në mars 2016. Pagesat janë bërë nga kompania Inerte Ekspres, në pronësi 100 përqind të Edmond Begos. Faturat bankare që kanë dalë në ekran janë dokumenti zyrtar që provojnë mashtrimin e Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. 4 pagesat për llogari të Ministrisë së Financave mbajnë datat, njëra në 13 nëntor 2015, me vlerë 121 milionë lekë. 3 të tjerat janë paguar brenda të njëjtës ditë, më 11 Mars 2016”, tha Zhupa.

Por pas denoncimit të publikuar nga PD ka reaguar edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, duke nxjerrë fakte përgënjeshtruese lidhur me privatizimin e ish-Serave.

Ministria e Financave u shpreh e gatshme për të vënë në dispozicion dokumentet që provojnë se fituesi i vërtetë nuk është Edmond Bego, por trashëgimtarët Pinari.

“Ky është dokumenti i firmosur nga këshilltari i Këshillit të Ministrave, i cili i ka hapur procedurë legalizimi në vitin 2007. Dëshiroj të ndalem në dy elementë që sqarojnë pozicionin e Ministrisë së Financave në këtë objekt. Në asnjë rast Ministria e Financave nuk ka firmosur asnjë dokument me Edmond Begon. Në asnjë rast nuk ka asnjë dokument që nxjerr fitues këtë person. Ministria ka favorizuar kalimin e serave në pronësi të trashëgimtarëve Hamdi Pinari. Pagesa është kryer nga trashëgimtarët Pinari. Media është e ftuar për më shumë detaje dhe verifikime pranë Ministrisë së Financave për të gjithë objektet”, deklaron MF.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA