Mazhoranca dhe opozita dështuan të përmbyllin Reformën Zgjedhore në një nga dy seancat e fundit të dhjetorit, por dyerve të Kuvendit duket se nuk i është vënë çelësi për këtë vit.

Në mbledhjen e 22 nëntorit, të Konferëncës së Kryetarëve, kryeparlamentari Gramoz Ruçi u ka kërkuar të tijve të investohen në miratimin e reformës brenda këtij viti, duke lënë të hapur mundësinë e zhillimit të një seance të jashtëzakonshme më 27 dhjetor.

“Nëse opozita do të vijë në komision, ne do të ecim me qëllim që të miratojmë draftin që do të paraqitet. Kam komunikuar edhe me zotin Çuçi, që të më bëjë gati draftin dhe të dyja këto çështje do të jenë në agjendën e këtij sesioni parlamentar. Nëse ato do të bëhen realitet, sigurisht që mund të përfshihen ose në datën 20, ose më 27 dhjetor 2018. Megjithatë, çështja mbetet e hapur”, tha asokohe Ruçi.

Apeli i ndërkombëtarëve për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor brenda këtij viti kanë rënë në vesh të shurdhër. Shumica dhe pakica parlamentare dështuan arritjen e konsensusit në dy seancat e fundit plenare, ndonëse tentativat për të miratuar Reformën Zgjedhore nuk munguan dhe vazhdojnë ende.

“Sigurisht erdhi pronari i ndërmarrjes, edhe drejtori, por besoj që të dy kërkoj që të shpreheni lidhur me kërkesën për të futur në rend të ditës Kodin Zgjedhor, sipas të gjitha atyre që keni kërkuar një për një. Për zgjedhjet e 30 qershorit, të jemi gati për zgjedhjet lokale”, tha Taulant Balla në Kvend më 20 dhjetor.

Por, propozimi i socialistëve u pa si shkelje proceduriale nga ana e opozitës.

“Jeni të poshtër si dreqi, por bëni budallenj si gomari. E dini fare mirë që ka një komision. Si mund ta sjellësh pa kaluar komisionin? Çfarë po bëni ju këtu? E keni marrë mesazhin dje nga faktori ndërkombëtar? Jeni hileqarë, të poshtër”, iu kundërpërgjigj Lulzim Basha po në Kuvend, më 20 dhjetor.

Në mes të dhjetorit, socialistët paraqitën në mënyrë të njëanshmë në Kuvend draftin e Reformës Zgjedhore, duke minuar sipas demokratëve konsensusin, i cili po kërkohet më shumë nga një palë e tretë, siç janë ndërkombëtarët, të cilët janë angazhuar në hartimin dhe miratimin e saj më shumë sesa edhe vet shqiptarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA