Diskutimi parlamentar për vettingun e politikës nuk solli asnjë ndryshim në qëndrimet e palëve. Juristët e mazhorancës dhe të opozitës vijuan të lexojnë në mënyra të ndryshme opinionin e Komisionit të Venecias.
“I thotë opinionit publik shqiptar, këtij parlamenti dhe kujtdo tjetër, që qëllimi për të futur instrumentin e posaçëm të vettingut të politikanëve është absolutisht legjitim. Përpara se studentët ta bëjnë vettingun ndryshe, me të gjithë shqiptarët e tjerë për ju, pranoni e hapini rrugën këtyre amendamenteve sot, ligjit nesër me asistencën e Komisionit të Venecias dhe ta mbyllim këtë histori njëherë e përgjithmonë, sepse është një turp që nuk do ta shlyeni dot për një kohë të gjatë”, u shpreh nga foltorja Oerd Bylykbashi.
“Kjo nismë kërkon të zbatohet në mënyrë arbitrare dhe lë shteg për të bërë goditje selektive të njerëzve që janë përfshirë në politikë nga kushdo qoftë, nga mazhoranca apo opozita. Tashmë që janë ngritur edhe pjesa tjetër e institucioneve të drejtësisë, të krijojmë të gjithë hapësirën e mundshme ligjore për të mbështetur ato në kryerjen e punës”, tha Vasilika Hysi.
Në diskutim munguan Edi Rama dhe Lulzim Basha, por debatet ishin të pranishme.
“Ky proces nuk është pastrim i politikës, por një turpërim publik i saj. Vettingu i politikës po përdoret vetëm si një kartë morale, sipas parimit ‘kush del kundër saj, diçka ka’. Kjo nismë është një gjysmëhakmarrjeje ndaj faktorit ndërkombëtar, i cili vuri si kusht të integrimit të Shqipërisë në BE, vettingun e gjyqësorit”, u shpreh Pandeli Majko.
“Këtë amendament, i cili do të bënte historinë për shqiptarët… Përndryshe ju garantoj se forca do t’u shkulë nga këto karrige. Bëjuni gati! Në rrugët e sheshet e Shqipërisë do ushtojnë o djem rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri!”, tha Berisha.
Këto fjalë të ish-kryeministrit tingëlluan si nxitje për dhunë në veshin e socialistëve, që kërkuan dënimin e tij nga Byroja.
“Sali Berisha u shpreh në Kuvend me thirrje antikushtetuese të përcaktuara në Kushtetutë, e sigurisht që bëjnë thirrje për rrëzimin e rendit kushtetues”, tha kryetari i grupit socialist, Taulant Balla.
“Është gjithashtu komike, sepse vargjet e një kënge patriotike, aq shumë iu është futur tmerri, sa i konsideroni si thirrje për rrëzimin e rendit kushtetues. Nuk do t’ia arrini që të mbyllni gojën e opozitës”, tha Edmond Spaho.
Top Channel