Një ditë pasi Parlamenti miratoi 5 nga 6 kandidaturat për Bordin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, opozita kërkoi që të kishte edhe ajo një përfaqësues, duke theksuar se këtë të drejtë ia njeh Kushtetuta dhe ligji.

“Çdo lloj veprimi që do të çojë në kapjen e Bankës së Shqipërisë në duart e një force të vetme politike, asaj që qeveris, thyen drejtpërdrejt Kushtetutën. Tani ju mendoni se jeni të zgjuar dhe thoni se e bëni në këtë formë, i çoni të trija bashkë. Hapni legjislacionin për çështje të tjera. Një kandidat, 28 firma; në mënyrë që të fragmentohet grupi dhe të mos ketë kontroll nga një dorë e vetme”, tha Oerd Bylykbashi.

“Nëse ju do të kishit përzgjedhur një nga ato kandidatura që kanë aplikuar dhe kanë shfaqur interes, sigurisht që mund ta kishit sjellë. Nuk e keni sjellë zotëri. E drejta e grupit parlamentar socialist për të mbështetur kandidatura na takon dhe nuk e negociojmë aspak me ju”, tha Taulant Balla.

Një merak më vete, demokratët e kishin për Ridvan Boden, ish-ministrin e tyre të Financave në kohën e dy mandateve të qeverisë “Berisha”, të cilin tashmë e shohin me sy tjetër.

“Qëndrimi zyrtar i PD është bërë i qartë nga kryetari i saj. Ne nuk pranojmë që kandidaturat që propozon Partia Demokratike t’i propozojë mazhoranca. Ridvan Bode nuk është përfaqësues i PD-së, por është i Edi Ramës”, tha Edmond Spaho.

“Nuk mund të vijë dita që Oerd Bylykbashi t’i bëjë gjyqin Ridvan Bodes këtu në këtë seancë. Të thotë se e kemi kapur ne Ridvan Boden, kur ai ka qenë ministër në dy qeverisje të ndryshme të PD-së, edhe në Saliun e parë, edhe në Saliun e dytë. Po ashtu, edhe zonja Suela Popa Tavo është sigurisht një kandidaturë serioze, e cila në asnjë moment nuk mund të konsiderohet si një përfaqësuese e PS-së”, tha Taulant Balla.

Përballë pikëpyetjeve edhe mes të majtëve mbi propozimin e Bodes, kryeministri Rama ka shpjeguar se e ka zgjedhur atë për shkak të aftësive profesionale, me qëllim për t’i shërbyer Bankës së Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA