Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve: Të vijojë reforma në drejtësi

20/12/2018 13:50

Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë kanë ndjekur me zhvillimet e fundit, që kanë lidhje me procesin e reformës në drejtësi dhe konkretisht ngritjen e organeve të reja Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

UGJSH dhe SHKGJSH gjejnë rastin sot të përshëndesin konstituimin e KLGJ-së si dhe zgjedhjen e drejtuesve të KLGJ, duke Ju uruar të gjithë anëtarëve suksese në kryerjen e kësaj detyre kaq të rëndësishme për mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor në veçanti dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vend!

Që nga dita e themelimit të tyre UGJSH dhe SHKGJSH nuk kanë rreshtuar se theksuari se, mirëpresin dhe inkurajojnë çdo reformë në sistemin e drejtësisë, e cila bazohet në respektimin dhe mbrojtjen e parimeve dhe të drejtave themelore të njeriut dhe ka për qëllim forcimin e besimit të publikut tek sistemi gjyqësor, rritjen e cilësisë e pavarësisë së vendim-marrjes në gjykime dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor dhe demokracisë ne vend.

UGJSH dhe SHKGJSH dëshirojnë të theksojnë edhe një herë angazhimin e tyre maksimal për të bashkëpunuar me organet e reja të qeverisjes së pushtetit gjyqësor, në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, garantimit të të drejtave dhe lirive të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë si dhe luftën pa kompromis ndaj çdo fenomeni negativ të vërejtur në rradhët e punonjësve të sistemit të drejtësisë!

Top Channel