E ftuara e radhës në studion e emisionit “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja, këtë të mërkurë ishte zv.kryeministrja Senida Mesi për t’iu dhënë përgjigje disa prej pyetjeve që lidhen me çështjen e universitetit, por edhe 8 pikat që kanë parashtruar studentët protestues ndaj qeverisë për plotësim.
Sot është folur për një “Pakt për universitetin”, i propozuar së fundmi nga qeveria. Por çfarë është ai?
“Pakti vjen si rezultat i këtyre dy javëve protesta të studentëve që ka në thelb edhe elementin e dialogut. Tetë kërkesat e studentëve janë legjitime, absolutisht, por edhe pse përmenden vetëm 8 të tilla, siç është bërë e ditur nga botëkuptimi i qeverisë dhe kryeministrit Rama, gjithçka bëhet për më shumë sesa këto 8 kërkesa. Si rezultat i identifikimit edhe të problemeve të tjera më të thelluara, i një analize shteruese që na lind neve si qeveri tashmë për të nxjerrë konkluzionet dhe mësimet e këtyre dy javëve protestash, duam të shkojmë e t’u ofrojmë studentëve dhe pedagogëve paktin që identifikon problematikat në tërësi, ofron zgjidhje të tyre, e në veçanti edhe për problematika të universiteteve të rretheve, ndryshe nga ai i Tiranës. Për shembull, në Shkodër studentët kanë bërë 3 kërkesa të tjera që s’kanë lidhje fare me ato 8 të protestave, sikurse në Gjirokastër, apo Vlorë”, shpjegoi Senida Mesi.
Të enjten në Kuvend kalon për herë të dytë projektbuxheti për vitin 2019, pas kthimit që i bëri Presidenti i Republikës për rishqyrtim në Parlament për shkak të kërkesave të studentëve. Mazhoranca, siç është paralajmëruar do ta miratojë sërish pa ndryshime pr.ligjin. Kryeministri nga ana e tij tha sot se në janar studentët do të paguajnë tarifën e plotë, por qeveria do të marrë përsipër rimbursimin e 50 për qind të shumës.
Çfarë kuptohet me plotësim të kushteve? A është bërë një paketë financiare apo një projeksion financiar që do të ketë plotësimi i kushteve të studentëve?
“Këtu ka dy elementë. Elementi i peshës në buxhet i arsimit ndaj prodhimit kombëtar, për të cilën studentët kanë kërkuar kapjen e nivelit 5%, sigurisht duke iu referuar standardeve të shteteve të Bashkimit Europian. Por kjo gjë, nëse flasim ekonomikisht, financiarisht është e pamundur të realizohet për Shqipërinë sot për nesër. Sigurisht që në një plan 3 apo 5-vjeçar gjithçka është e mundshme. Sot që flasim, në buxhetin e 2018-s arsimi zinte 3.17 për qind, ndërkohë që është rritur në 3.27 për vitin 2019. Problematika që vjen si rrjedhojë e protestës, me kërkesat e tyre, sigurisht që ka një faturë financiare, por nuk është gjithçka vetëm financiare. Nëse flasim pastaj për një faturë financiare vetëm për këtë realizim përqindjeje, flasim për rreth 260 milionë euro. Kjo vlerë është e pamundur që të realizohet brenda një harku shumë të shkurtër. Problematika ka në menaxhim, te kurrikulat arsimore, jo gjithçka lidhet me buxhetin dhe paratë”, tha Mesi.
E thënë më thjeshtë, nëse në janar fillon pagesa e gjysmës së tarifës nga qeveria, a do të kemi një rishikim të buxhetit në janar për këtë zë? Apo pritet një rishikim në një kohë të dytë?
“Po flasim për një dokument i quajtur ‘Pakti për universitetin’, ku nga ana e qeverisë shqiptare është ngritur një grup pune, udhëhequr prej tij dhe një pjese të kabinetit por edhe të deputetëve që kanë eksperiencën e mjaftueshme në mësimdhënie. Teknikisht ky grup pune drejtohet nga unë (Senida Mesi), me qëllim që këtë draft të gatshëm ta diskutojmë me akademikët dhe studentët. E quajmë pakt, sepse duhet të jetë me patjetër i dyanshëm. Çdo gjë që do të vinte vetëm nga njëra anë, do të ishte shumë komode për qeverinë që të evidentoheshin problemet dhe të jepej një zgjidhje me një VKM, për të analizuar më pas efektin financiar dhe për të thënë që po, të gjitha këto do të realizohen në 2021-shin, 2025-n apo 2030-n. Do të dukej sikur ne do të hiqnim dorë nga një pjesë e madhe e përgjegjësisë”, shpjegoi zv.kryeministrja Mesi.
Top Channel