Parlamenti i Maqedonisë e miratoi ligjin e amnistisë lidhur me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar në parlament. 95 deputetë votuan pro dhe asnjë kundër.
Ligji u soll me procedurë të shpejtë me nismën e një grupi ndërpartiak të parlamentit për t’i hapur në këtë mënyrë rrugën miratimit të ndryshimeve kushtetuese që pritet të ndodhë më 15 janar.
Amnistia nuk do t’i përfshijë organizatorët e ngjarjeve të dhunshme, ata të cilët e kishin përgatitur dhe sjellur armë në parlament dhe personat zyrtarë të Ministrisë së rendit, të cilët kishin vepruar në kundërshti me autorizimet dhe kompetencat që kishin.
Për ligjin votuan edhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së opozitare, drejtuesit e të cilës e kundërshtonin atë, duke e quajtur “drejtësi selektive” dhe duke kërkuar një amnisti të përgjithshme për të gjithë të akuzuarit. Disa nga propozuesit e ligjit, deputetë nga grupi i ri i shkëputur prej VMRO-së thonë se ligjvënësit duhet të tregojnë gatishmëri për të falur dhe për të kërkuar falje dhe se deputetët që votojnë pro do të dëshmojnë se e kanë falur njëri tjetrin.
Por, Ligji nuk u mbështet nga Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa e Bilall Kasamit dhe “Besa e Afrim Gashit, si dhe deputeti liberal-demokrat, Goran Milevski. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela e quajti miratimin e ligjit për amnisti si vrasje të dytë ndërsa ata që e mbështetën i quajti keqbërës.
“Më 27 prill unë u vrava personalisht dhe mbijetova. Sot po vritem përsëri, fatkeqësisht nga një numër i madh deputetësh të cilët me votën e tyre vendosën që përveç individualisht të vrasin edhe shpresën e qytetarëve për drejtësi. E mira është që sot keqbërësit mund të shihen të gjithë me butonin që votuan për, ndërsa keqbërësit akoma më të madh i ke si propozues të ligjit për amnisti dhe mirë është që opinioni t’i dijë me emër dhe mbiemër”- u shpreh zoti Sela.
Nga ana tjetër, ekspertë dhe analistë janë shprehur se pushteti ligjvënës dhe ekzekutiv me këtë po përzihen në punën e gjyqësorit në kohën kur po zhvillohet një proces kundër sulmuesve të dhunshëm ndaj deputetëve dhe gazetarëve në parlament para një viti e gjysmë.
Sipas tekstit të ligjit për amnistinë, të akuzuarit apo të dënuarit mund t’i drejtohen gjykatës për t’i amnistuar. Pasi ligji të hyjë në fuqi, gjykata do të vendosë mbi kërkesat e të akuzuarve në këtë rast, ndëkohë që edhe prokuroria do të japë vlerësimet e saj duke u bazuar tek dëshmitë që posedon.
Top Channel