Plot 500 vite pas vdekjes së Leonardo Da Vincit, një fabrikë mëndafshi që funksionon mbi bazën e një prej dizenjove të tij, vazhdon të prodhojë disa prej pëlhurave më fine në botë.
E vendosur në lagjen historike “San Frediano” në Firence, “L’Antico Setificio Fiorentino” është themeluar në vitin 1786 dhe është një nga fabrikat më të vjetra të mëndafshit në Europë.
Margaritari në zemër të saj është një makinë për mbështjelljen e fijes, dizenjuar nga gjeniu i Rilindjes, Da Vinci, që vdiq në vitin 1519. Ajo është një makinë e bërë në fund të shekullit të XVII, bazuar në dizenjon origjinale të mjeshtrit dhe me të vazhdohet ende sot të prodhohen pëlhura, thekë, dekorime etj.
“Ky është një muze, e në të njëjtën kohë edhe një fabrikë”, tha Briza Datti, menaxhere “Antico Setificio”.
Mekanizmi përdoret për të përgatitur fijen e mëndafshit, para se ajo të vendoset në tezgjah, duke ndjekur një teknikë që është ruajtur me fanatizëm prej shekujsh. Mëndafsh, damask dhe tafta me motive florale apo gjeometrike, janë mes pëlhurave që prodhohen këtu dhe shiten nga 200 deri në 1.500 euro për metër.
Fabrika, e cila që nga viti 2010 i përket familjes së stilistit italian Stefano Ricci, prodhon pëlhura, fjongo apo tantella në stile dhe ngjyra të ndryshme. Ato mund të gjenden në vende pompoze në Itali e jashtë saj, që nga pallatet e famshme të Italisë e deri te rezidenca mbretërore në Danimarkë, apo në Kremlin të Rusisë.
Top Channel