Tri projektligjet, që mundësojnë shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, u miratuan fillimisht në parim gjatë tetorit, duke shmangur ndryshimet kushtetuese, të cilat u kthyen praktikisht në pengesë për shkak të kundërshtisë së Beogradit dhe të deputetëve serbë.

Për këtë arsye, institucionet e Kosovës zgjodhën që shtimin e kapaciteteve ushtarake për FSK-në ta bënin përmes ligjeve, pa prekur emrin e saj. Ai do të mbetet i njëjtë, edhe pse 3 projektligjet synojnë transformimin e kësaj force me kapacitete shtesë, përfshirë ato të mbrojtjes.

Me mandatin e ri, ajo do të ketë 5.000 trupa, 3.000 rezervistë, me një buxhet vjetor prej 98 milionë eurosh.

FSK do të jetë në thelb një forcë sigurie që merret me reagimin ndaj krizave dhe operacionet e mbrojtjes civile. Autoritetet kosovare janë zotuar që transformimi të bëhet në koordinim me NATO-n dhe shtetet që Prishtina i sheh si aleate, si Shtetet e Bashkuara.

Tranzicioni i FSK-së në ushtri do të jetë një proces i gjatë, që llogaritet të shkojë nga 7 deri në 10 vite, kohë përgjatë së cilës rolin dhe mandatin mbrojtës në Kosovë do të vazhdojë ta ketë Forca Paqeruajtëse dhe Shumëkombëshe e KFOR-it.

Haradinaj vetë e ka sqaruar se FSK-ja nuk do të zëvendësojë KFOR-in. “Prania e NATO-s në shtetin tonë do të jetë gjithmonë e mirëpritur. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s, duam të punojmë me ju”, është shprehur kryeministri.

Reagimi i Beogradit ka qenë i ashpër dhe presionet e tij të mëdha. Kërcënimet dhe frikësimet e vazhdueshme detyruan me dhjetëra pjesëtarë serbë ta braktisnin Forcën e Sigurisë, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç luftonte me argumentin se, ajo po krijohej që serbët të shfrytëzoheshin një ditë për të qëlluar mbi serbët e tjerë.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në vitin 2009 në bazë të “Planit Ahtisaari”, dokument që çoi drejt Pavarësisë së Kosovës. Kjo Forcë është ngritur nën mbikëqyrjen e aleancës së Atlantikut të Veriut, por misioni dhe kapacitetet e saj nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova të ketë ushtrinë e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA