Një sondë robotike e NASA-s ka mbërritur më në fund “Bennu”-n, asteroidin që një ditë mund të godasë Tokën.

“Osiris-Rex” e ka ndjekur për dy vite trupin qiellor në formë diamanti, për të marrë prej tij materiale që t’i kthejë mbrapsht në Tokë, ku të analizohen nga ekspertët. Asnjë mjet hapësinor deri më sot nuk kishte orbituar një objekt kaq të vogël kozmik.

“Bennu” konsiderohet një asteroid potencialisht i rrezikshëm. Ai duhet t’i afrohet Tokës pas rreth 150 vitesh dhe, nëse përplaset me planetin tonë, do të shkaktojë me shumë gjasë një goxha krater.

“Osiris-Rex” nuk do të ulet në sipërfaqen e tij, por do të përdorë një krah mekanik 3 metra të gjatë për ta prekur atë dhe për të mbledhur material.

Enët me kampionet e përftuara janë planifikuar të shkëputen dhe të kthehen në Tokë në vitin 2021. Shkencëtarët shpresojnë të mësojnë më shumë mbi burimin e ujit në sistemin diellor dhe origjinën e molekulave organike, nga të cilat nisi jeta.

Shtënia në dorë e materialit të pastër të një asteroidi mund të japë po kështu të dhëna sesi mund të gërryhen për substanca të vyera, e mbase edhe sesi të krijohet një mbrojtje prej atyre që mund të kërcënojnë Tokën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA