Ngjarjet kriminale të Shkodrës të ndodhura gjatë 2018 janë transferuar për t’u hetuar nga ky qytet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë.

Janë krime që nga shpërthimi me lëndë plasëse në 13 janar 2018 me objektiv Lulzim Kullën deri tek zhdukja e dy personave.

Dy prokurorë të Krimeve të Rënda në kryeqytet po hetojnë dosjet e Shkodrës si një çështje e vetme, për shkak të dyshimeve se ngjarjet qe tronditet Shkodrën gjatë këtyre muajve kanë si fill lidhës shpërthimin me eksploziv në të cilin mbetën të plagosur 13 persona.

Si krim i rëndë po hetohet gjithashtu edhe vrasja e biznesmenit Mehdi Kavaja, e Fatbardh Licit dhe e ish-policit Boran Bercana dhe e partneres se tij Silvi Ndoci, por edhe biznesmenit Arjan Ferracaku.

Por ndërkohë Arta Marku ka transferuar dy prokurorët që po hetonin në Shkodër këto krime dhe që kishin firmosur urdhër kontrolle e shoqërime të shumta.

Albert Murcaj është transferuar nga detyra e zv/drejtuesit në seksionin e të miturve ndërsa prokurorja Esmeradla Ndoci është transferuar nga Shkodra në Pukë, në të njëjtën Prokurori ku Marku ka “internuar” me herët edhe prokuroren Sonila Muhametaj.

Por pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara të Prokurorisë deri tani të gjitha këto krime janë pa gjurmë autorësh, edhe pse dyshimet kryesore flasin për përplasje të grupeve kriminale me njëra-tjetrën.

Më herët aksioni policor “Oaz” dërgoi në paraburgim 11 persona të dyshuar si pjesë e grupit Bajri, kryesisht të implikuar ne gjobëvenie, pastrim parash, lotari te palejuara.

Mes të prangosurve është edhe kreu i grupit Enver Bajri.

Në valën e këtyre hetimeve Prokurori Blerim Tominaj i ka dërguar Spanjës letërporosi për t’i dorëzuar Shqipërisë Enver Bajrin. Por Enver Bajri kërkohet edhe nga Italia.

Top Channel