George H.W. Bush, presidenti i 41-të që udhëhoqi Shtetet e Bashkuara në mesin e një periudhe të turbullt sa u përket marrëdhënieve globale, përfshi edhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe pushtimin e Kuvajtit nga Iraku, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, në moshën 94-vjeçare.

“George Herbert Walker Bush, ish-pilot i Marinës gjatë Luftës së Dytë Botërore, pionier i naftës së Teksasit dhe President i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërroi jetë më 30 nëntor 2018. Ai ishte 94 vjeç dhe ka lënë pas 5 fëmijë dhe bashkëshortët e tyre, 17 nipër e mbesa, 8 stërnipër apo stërmbesa dhe dy vëllezër. Përpara tij ndërruan jetë bashkëshortja 93-vjeçare, Barbara, djali i dytë Pauline Robinson Bush, si dhe vëllezërit Prescott dhe William. Organizimet për funeralin do të njoftohen së shpejti, siç e do praktika”, lexohet në deklaratën e publikuar prej zyrës së tij.

Edhe George W. Bush lëshoi një deklaratë në emër të tij dhe familjes së tij.

“Jeb, Neil, Marvin, Doro dhe unë njoftojmë me pikëllim se, pas 94 viteve të mrekullueshme, babai ynë ka ndërruar jetë. George HW Bush ishte një njeri i karakterit të jashtëzakonshëm, si dhe babai më i mirë që do të donte një djalë apo një vajzë. E gjithë familja Bush është thellësisht mirënjohës për jetën e tij, shprehim mirënjohje për dashamirësinë e atyre që janë kujdesur dhe lutur për babain dhe ata që kanë shprehur ngushëllimet”.

Ndërkohë, edhe Donald Trump lavdëroi Bushin për “gjykimin e tij të shëndoshë, mirëkuptimin dhe lidershipin e palëkundshëm”.

Një konservator i moderuar që shërbeu vetëm një mandat në Shtëpinë e Bardhë mes viteve 1989 dhe 1993, Bushit i mungoi karizma dhe ideologjia polarizuese e pasardhësit të tij, Ronald Reagan, me të cilin shërbeu si zëvendëspresident.

Por, ai fitoi respekt të gjerë për shfaqjen e vendosmërisë gjatë një momenti të paqartë sigurie në histori, pikërisht kur u rrëzua Muri i Berlinit dhe kur komunizmi i sponsorizuar nga sovjetikët në Europën Lindore nisi të binte nga njëri shtet në tjetrin, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të dilnin si superfuqia e vetme globale.

Bush do të kujtohet gjithmonë dhe pashmangshmërisht si patriarku i dinastisë politike Bush, një prej më të suksesshmeve të historisë së Amerikës. Presidenti i 41-të ishte babai i George W. Bush, presidenti i 43-të i SHBA-ve, si dhe Jeb Bushit, i cili garoi pa sukses ndaj Donald Trumpit për nominimin e republikanëve për president në vitin 2016.

FOTO GALERI
10/36

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA