Kupa e Afrikës 2019, Kamerunit i hiqet e drejta e organizimit

01/12/2018 12:45

Kameruni nuk është më vendi organizator i Kupës së Kombeve të Afrikës, të vitit 2019. Ditën e premte, Konfederata Afrikane e Futbollit ia hoqi të drejtën këtij vendi për të mbajtur këtë turne, për shkak të vonesave në përgatitjen e tij.

Vendimi për heqjen e së drejtës së Kamerunit për organizimin e Kupës së Kombeve u mor pas një mbledhjeje të Komitetit Ekzekutiv të CAF-së, që zgjati plot 10 orë dhe që u mbajt me dyer të mbyllura.

“Sot morën vendimin që të mos e organizojmë në Kamerun Kupën e Kombeve të 2019-s”, tha presidenti i CAF-së, Ahmad Ahmad, në një konferencë për shtyp. “Do të krijohet një task force për të nisur një apel për vendet e interesuara, që të bëjnë ofertën e tyre për të drejtën e organizimit të këtij turneu deri në fund të këtij viti”.

Në këtë situatë, dy vendet që kanë më shumë mundësi për të organizuar Kupën e Afrikës në 2019-n janë Afrika e Jugut dhe Maroku. Ky i fundit ishte në garë për organizimin e Kupës së Botës së vitit 2026, por humbi ndaj kandidaturës së përbashkët mes SHBA, Meksikës e Kanadasë.

Afrika e Jugut, nga ana e saj, është i vetmi vend afrikan që ka organizuar një Kupë Bote, atë të vitit 2010, ndërkohë që në vitin 2013 priti edhe një edicion të Kupës së Afrikës. Vlen të kujtohet se Kupa e Kombeve të Afrikës, ndryshe nga vitet e tjera kur është zhvilluar në periudhën janar-shkurt, në vitin 2019 do të mbahet nga 15 qershori-13 korrik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA