Asambleja e Përgjithshme e Bayern Munchen, e mbajtur ditën e premte, u përfshi nga kaosi. Askush nuk e fshehu dëshpërimin, zemërimin dhe zhgënjimin gjatë saj, e motivet janë rezultatet aspak të kënaqshme të kampionëve të Gjermanisë në javët e fundit, si dhe sjellja e drejtuesve të klubit.

Ajo që e tregon atmosferën e nderë te Bayern Munchen është prania e vetëm 1.682 anëtarëve të klubit, nga 291 mijë që janë në total, por jo vetëm kaq.

Presidenti i klubit bavarez, Uli Hoeness u bë shënjestra e vërshëllimave dhe fyerjeve të të pranishmëve, një situatë kjo që – ashtu siç e deklaroi ai vet në përfundim të Asamblesë, – e tronditi atë.

Sipas të përditshmes “Bild”, ai që e kritikoi me forcë Hoenessin ishte Johannes Bachmayr, për përjashtimin nga tribuna e nderit të legjendës së klubit, Paul Breitner. Hoeness u mbrojt, por arsyetimi i tij nuk u pëlqye aspak në asamble.

Në javët e fundit, Hoeness dhe Rummenigge deklaruan se organika e klubit pritet të pësojë ndryshime të rrënjësishme. Kontrata e Rummenigges skadon në fund të sezonit, por Hoeness shpreson në arritjen e një marrëveshjeje për rinovimin e saj.

Së fundmi, në horizont është shfaqur edhe Oliver Kahn, i cili shihet si një kandidaturë e fortë për të qenë presidenti i ardhshëm i Bayern Munchen, pikërisht në vend të Uli Hoeness.

Në Asamblenë e klubit gjerman u fol edhe për merkaton e futbollistëve dhe Bayernin që gjatë verës nuk bëri asnjë shpenzim, një gabim të cilin bavarezët nuk duan ta bëjnë më, ndërkohë që Hoeness pranoi se për gjigantët e Bundesligës ka ardhur koha që të bëhet ndryshimi i brezave. Në të njëjtën kohë, ai konfirmoi edhe Niko Kovaç në pankinë, duke shtuar se të gjithë duhet ta mbështesin në punën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA