Shumë nga subjektet e skualifikuara i kanë apeluar vendimet ndaj tyre në strukturën e KPA-së, por ankimimet rrezikojnë të shkojnë deri në Gjykatën e Strasburgut. Një pyetje specifike iu bë pikërisht për këtë gjë, të ftuarës së sotme në emisionin “Top Talk”, Erida Skëndaj, kryetare e Komisionit të Helsinkit, nga gazetari Denis Dyrnjaja.
A mund të përballet Shqipëria me një kthim (boomerang) drejtësie, nëse vijnë vendimet e “Strasburgut” për shkelje të të drejtave të njeriut në raport me procesin në tërësi? Këta njerëz të përjashtuar mund të fitojnë të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë…
“Nga informacioni që ne kemi, një pjesë e këtyre çështjeve kanë shkuar në Gjykatën e Straburgut. Megjithatë, ligji i vettingut dhe Kushtetuta nuk e parashikojnë si një hapësirë ligjore që nëse kjo gjykatë jep një vendim në favor të subjektit të përjashtuar, të kenë një mekanizëm që siguron rivendosjen e të drejtave, që detyron organet ta rishikojnë vendimmarrjen e tyre dhe ta kthejnë në sistem. Nuk e di nga pikëpamja e debatit juridik sesi mund të ndodhemi në një situatë të tillë. Mund të quhet një boshllëk (vakuum) ligjor, e ndoshta edhe vet Gjykata e Strasburgut, e cila nuk jep vetëm dëmshpërblim dhe kompensim monetar për shkeljen e të drejtave të njeriut, edhe në rastin e subjekteve mund të japë dëmshpërblim, mundet që të urdhërojë me masë të përgjithshme autoritetet shqiptare që të parashikojnë një mekanizëm që siguron rivendosjen e plotë të të drejtave të subjekteve të shkelura”, shpjegoi Skëndaj.
Top Channel