Konflikti Ukrainë-Rusi, Putin: Provokim nga Poroshenko

28/11/2018 23:45

Një konflikt i ri mes Ukrainës dhe Rusisë, është thuajse i pashmangshëm. Presidenti ukrainas Petro Poroschenko ka kritikuar Rusinë për mobilizimin e forcave dhe ka shpallur gjendjen e luftës. Ekziston rreziku i një “lufte totale”, thotë ai.

Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka akuzuar liderin ukrainas se po përpiqet të rrisë mbështetjen për të në prag të zgjedhjeve të 2019, duke inskenuar qëllimisht përplasjen në det pranë Krimesë.

“Marina ruse nuk bëri gjë tjetër veçse përmbushi obligimin e saj ushtarak në mbrojtje të kufijve të Rusisë. Anijet ukrainase kishin hyrë në ujëra territoriale ruse dhe nuk iu përgjigjën rojave kufitare…çfarë duhet të bënim ne?”, u shpreh Putin.

Të hënën, parlamenti ukrainas vendosi gjendjen e luftës në disa pjesë të vendit. Kriza u ndez të dielën pas një përplasjeve mes forcave detare të të dyja vendeve në detin e zi. Forcat ruse qëlluan tre anije ushtarake ukrainase në afërsi të Krimesë, me shumë ushtarë ukrainas të plagosur dhe me 24 të tjerë të arrestuar.

Për shkak të kësaj krize të fundit, edhe presidenti amerikan Donald Trump, po mendon të anulojë takimin e parashikuar me presidentin rus Vladimir Putin, që do të mbahej në prapaskenat e samitit të G20.

“Ndoshta nuk do të takohemi fare. Mua nuk më pëlqen ky agresion – nuk po më pëlqen aspak”, tha Trump.

Top Channel