Ambasadorja gjermane Susane Schutz, nga Korça ka apeluar për rikthimin e opozitës në Parlamentin shqiptar, ndërsa është ndalur edhe te deklaratat e një dite më parë të bëra nga kryeministri për Kosovën.
Ajo është shprehur optimiste për anëtarësimin e vendit në BE, ashtu si dhe për 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Ne jemi të mendimit që në demokraci nevojitet një opozitë, por edhe se për këtë opozitë vendi është në Parlament. Unë i bëj apel opozitës që të kthehet përsëri në Parlament, sepse ka shumë ligje për t’u miratuar, si Reforma e Kodit Zgjedhor , për të cilat nevojitet edhe vota e opozitës”, tha Schutz.
E pyetur për deklaratën e djeshme të kryeministrit në Kosovë, ajo u shpreh:
“Ne si Gjermani kemi thënë se 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë për anëtarësimin në BE. Kjo vlen edhe për Kosovën e Serbinë, por është e rëndësishme që këto dy vende të bëjnë progres për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, e në këtë kontekst shpresoj që diferencat mes këtyre dy vendeve të përballohen”.
Qeveria federale gjermane dhe vet kancelarja gjermane ka thenë se, një shkëmbim i territoreve nuk do të çonte në një zgjidhje.
E pyetur se, sa afër Europës është Shqipëria, ajo tha:
“Vendi ka një perspektivë për t’u anëtarësuar dhe ne shpresojmë që kjo do të arrihet vitin që vjen. Shqipëria ka bërë shumë progres në këtë rrugë, por ka edhe shumë gjëra të tjera për të bërë në luftën ndaj krimit të organizuar edhe korrupsionit. Duhet të ketë ende zhvillime dhe përparësi në këto pika”, tha Schutz.
Këto deklarata, ambasadorja i ka bërë nga Korça, ku ka qenë e pranishme në kuadrin e 30-vjetorit të vendosjes së bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.
Top Channel