Të hënën në mëngjes, mediat raportuan për ngjarjen në kufirin midis San Diegos, SHBA, dhe Tihuanas, Meksikë.
“Me mijëra emigrantë kishin disa javë që krijonin tension me rrugëtimin e tyre për të hyrë në SHBA nëpërmjet Meksikës. Kulmi arriti në kufi, këtë të diel, kur një grup u përpoq të futet dhe u sulmua me gaz lotsjellës nga policët amerikanë”.
Një tjetër lajm thoshte: “Marshimi paqësor i emigrantëve të Amerikës Qendrore doli jashtë kontrollit në kufirin amerikan, teksa me qindra prej tyre u përpoqën të çajnë përmes kordonit të policisë meksikane e të futen në San Diego”.
Fotot dhe videot tregonin historinë e tyre: një kufi i mbyllur plotësisht; ushtarë amerikanë dhe agjentë të patrullave kufitare që rreshtohen krah për krah; burra të rinj që ngjiten te gardhi kufitar; policia meksikane vrapon me uniforma për kontroll turme; re tymi nga gazi lotsjellës që ngrihen në ajër; një nënë që tërheq dy fëmijët, një prej tyre zbathur, që t’i shpëtojnë gazit. Asnjë nga emigrantët nuk arriti të kalojë matanë kufirit, sipas the Times. Autoritetet meksikane thonë se kanë arrestuar 39 persona, vetëm ata që kanë sulmuar policinë.
Situata që solli ngjarjet e së dielës është një varg shkaqesh dhe pasojash. Me mijëra anëtarë të karvanit që kaloi Meksikën këtë vjeshtë, tani është vendosur në Tihuana. Karvani u krijua me idenë se po të kalohej kufiri në grup, do të ishin më të sigurt e më të saktë se po të shkonin vetëm, apo po të paguanin kontrabandistë. Kjo doli e vërtetë, por tani që kanë mbërritur në kufi, dera aty është e mbyllur.
Edhe pse emigrantët kanë të drejtë të kërkojnë azil në SHBA, zyrtarët në San Diego po shqyrtojnë vetëm pak kërkesa në ditë. Duke udhëtuar në grup, emigrantët i kanë dhënë presidentit Trump një ndihmë në kohë zgjedhjesh, si dhe shfajësimin për të dërguar ushtrinë në kufi, duke bërë deklarata qesharake se vendi po pushtohej. Ai është i kënaqur me këtë luftë.
Karvani u ka bërë presion edhe zyrtarëve meksikanë në Tihuana. Autoritetet vendase janë përpjekur të gjejnë strehim për emigrantët. Me mijëra janë vendosur në një kompleks sportiv. Andres nManuel Lopez Obrador, presidenti i sapo-zgjedhur i Meksikës, do të futet në zyrë këtë javë. Të shtunën e shkuar, Uashington Post raportoi se administrata e presidentit Trump kishte marrë mbështetjen e qeverisë së re meksikane për t’i lënë azil-kërkuesit në Meksikë, teksa presin t’u shqyrtohet kërkesa për azil.
Është ende e paqartë se si mund të funksionojë kjo marrëveshje, por rasti më i keq do të ishte krijimi i kampeve në kufirin e qytetit meksikan. Grupet e emigrantëve që përpiqen të kalojnë mbahen jashtë kufirit nga forcat qeveritare. Pyetja tani është se sa shpesh do të përsëriten skenat e tmerrshme që pamë të shtunën?
Top Channel