Bushati takon Cerar: Sllovenia mbështet Shqipërinë për hapjen e negociatave me BE

27/11/2018 13:13

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Miro Cerar, në kuadër të vizitës zyrtare në Tiranë.

Ministri Bushati vlerësoi qëndrimin mbështetës të Sllovenisë për hapjen e negociatave me BE, në muajin qershor 2019, mbështetje e cila, sipas tij, vjen si rezultat i leximit të rezultateve konkrete në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Po ashtu, Ministri Bushati nënvizoi se një rol proaktiv dhe lobues i Sllovenisë, ashtu siç ka qenë për marrjen e statusit të vendit kandidat, do të ishte më se i mirëpritur edhe për hapjen e negociatave në qershor 2019. Ministri Bushati falënderoi homologun slloven për mbështetjen e Shqipërisë për Kryesinë e OSBE-së për vitin 2020 dhe u shpreh optimist për rakordimin e veprimeve të përbashkëta për sigurimin e vendit të anëtarit të përkohshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë të OKB për periudhën, 2022-2023.

Gjatë bisedimeve konstruktive dhe miqësore u theksua se rajoni i Ballkanit Perëndimor, duhet të ketë një të ardhme të qartë në Bashkimin Evropian dhe po aq i rëndësishëm mbetet edhe integrimi dhe bashkëpunimi midis vetë këtyre vendeve. Po ashtu, bashkëbiseduesit vunë në dukje rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në drejtim të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatë bisedës, u nënvizua nevoja për një rritje cilësore dhe impulse të reja në thellimin e bashkëpunimit ekonomik për ta ngritur këtë në nivelin e bashkëpunimit politik. Në këtë kuadër, dy ministrat përshëndetën Forumin e Biznesit shqiptaro-slloven, duke vlerësuar interesin e dyanshëm dhe potencialin real të pashfrytëzur deri tani duke theksuar se bashkëpunimi ekonomik, do të jetë një prioritet për dy ministritë e Jashtme dhe diplomacinë ekonomike.

Ministri Bushati theksoi se Forumi i biznesit është dëshmia e fundit e angazhimit të përbashkët si dhe një konfirmim i potencialit real për ritjen e shkëmbimeve tregtare, fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe nxitjen e investimeve. Në këtë kontekst, në Forumin e Biznesit Shqipëri-Slloveni, u vu theksi tek rëndësia e bashkëpunimit në fushën e turizmit, energjisë, mjedisit, agro-përpunimit, farmaceutikës, infrastrukturës, etj.

Top Channel