Kapja e tre anijeve ukrainase nga Rusia i ka ndezur tensionet mes dy vendeve deri në atë pikë sa Parlamenti ukrainas po gjykon nëse do ta shpallë apo jo ligjin ushtarak.

Zemërimi i ukrainasve shpërtheu duke mbërritur kulmin në orët e natës. Protestuesit u mblodhën përpara Ambasadës Ruse në Kiev. Ata lëshuan flakadanë drejt ndërtesës e i vunë zjarrin një makine të misionit diplomatik.

“Janë veprimet ruse ato që na nxorrën këtu. Jemi shumë të zemëruar. Ne nuk duhet të kishim marrëdhënie diplomatike me këtë shtet prej shumë kohësh”, tha një demonstrues.

Incidenti pranë ujrave të Gadishullit të Krimesë shënon një përshkallëzim madhor të situatës mes dy vendeve. Secili prej tyre fajëson tjetrin për kapjen e anijeve dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të ekuipazhit.

Gjatë një takimi të Këshillit Kombëtar ukrainas të Mbrojtjes, Presidenti Petro Poroshenko i përshkroi veprimet ruse si “të paprovokuara dhe një çmenduri e vërtetë”. Ai pohoi se do t’i kërkonte Parlamentit të hënën vendosjen e ligjit ushtarak, duke shtuar megjithatë se kjo nuk është një “deklaratë për luftë”.

Ukraina, u shpreh Poroshenko, nuk ka ndërmend të luftojë me njeri. Por, ndërkohë, Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka dhënë urdhër që ushtria të jetë në gadishmëri për betejë.

Incidenti ndodhi kur dy anije luftarake ukrainase dhe një rimorkiator po lundronin për në Detin e Azovit, në të cilin Rusia është vendosur fuqishëm që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014. Një traktat i viti 2003 e përcakton Detin Azov dhe ngushticën që çon në të, si ujëra të përbashkëta territoriale.

Më herët gjatë këtij viti, administrata e Presidentit Donald Trump i kërkoi Rusisë që t’i japë fund pengimit të anijeve ndërkombëtare në Detin Azov dhe ngushticën Kerç, që synon dobësimin e ekonomisë së Ukrainës.

Top Channel