Microsoft kërkon falje pas afro 24 orësh ndërprerje, kaosi teknologjik prek miliona përdorues në mbarë botën

13/11/2026 20:32

Microsoft ka kërkuar falje publike pas një ndërprerjeje masive të shërbimeve të saj, e cila për afro 24 orë ka prekur miliona përdorues në të paktën 70 shtete të botës.

Problemi ka bërë të paarritshme disa prej platformave më të përdorura të kompanisë, përfshirë Teams, Outlook dhe programin e inteligjencës artificiale Copilot, duke shkaktuar vështirësi për institucione shtetërore, biznese dhe përdorues të zakonshëm, raporton BBC.

Në një deklaratë, kompania u shpreh se ishte “thellësisht e keqardhur” për ndërprerjen dhe shqetësimet e shkaktuara. Microsoft sqaroi se problemi nuk kishte lidhje me ndonjë sulm kibernetik apo me inteligjencën artificiale dhe agjentët e saj, por ishte shkaktuar nga një përditësim i mëparshëm i kapacitetit të rrjetit.

Pas orëve të gjata të ndërprerjes, kompania bëri të ditur se po vërehej një rikuperim i gjerë dhe stabilizim i shërbimeve të saj. Megjithatë, pasojat e problemit janë ndjerë në sektorë të ndryshëm. Ministri britanik përgjegjës për sigurinë kibernetike e cilësoi ndërprerjen si një situatë shqetësuese dhe përçarëse, megjithëse raportimet për ndikim në shërbimet e drejtpërdrejta ndaj qytetarëve kanë qenë të kufizuara.

Ndërkohë, dëme janë raportuar edhe në aktivitetin ekonomik. Prodhuesi i verës në Afrikën e Jugut, Peter Pentz, deklaroi se komunikimi me eksportuesit ishte ndërprerë plotësisht. Në Londër, disa punonjës treguan se vendosën të largoheshin nga zyra, pasi pa funksionimin e email-eve puna ishte bërë praktikisht e pamundur.

 

Top Channel